Tiranë, 28 korrik 2011, NOA/Irma Toptani – Në vijim të debatit të ndezur për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu deklaroi sot se nuk do të tolerohet servilizmi i autoriteteve shqiptare ndaj Greqisë.
Mes dhjetra historianëve, intelektualëve, juristëve e gazetarëve që iu bashkuan aksionit kushtetues të Aleancës Kuq e Zi kundër regjistrimit etniko-fetar të popullsisë, zoti Spahiu publikoi formularin e paraqitur nga qeveria greke për shtetasit e vet, i cili nuk përmban pyetjet mbi etninë dhe fenë.
Aleanca KuqeZi e denoncoi regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare të popullsisë si një kërkesë të qarqeve greke për të shpallur Shqipërinë një shtet multietnik që cënon hapur integritetin territorial të Jugut të Shqipërisë.
Zoti Spahiu në emër të Aleancës KuqeZi bëri me dije se Greqia vetë si shtet anëtar në Bashkimin Europian nuk e parashtron çështjen e etnisë dhe fesë në formularin e regjistrimit të popullsisë së vendit të vet, duke theksuar se shteti fqinj as nuk i njeh pakicat etnike.
“Greqia një muaj më parë nisi regjistrimin e popullsisë, e në këtë formular Greqia një vend i BE-së nuk e ka vendosur elementin etnik e fetar. Si mundet që Shqipëria të vazhdojë të kërkojë të tilla përgjigje nga shtetasit e vet apo, të cilat Turqia dhe Greqia nuk ua kërkojnë pakicave në vendet e tyre”, tha nënkryetari i KLD-së, duke argumentuar se formulari sjell në vëmendje se Greqia i imponon Shqipërisë të bëjë diçka që nuk e aplikon te shtetasit e vet, duke të sjellë ndërmend thënien e njohur “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”.
Aleanca KuqeZi diskutoi mbi procedurën e shpalljes antikushtetues të Ligjit “inovator” të Censusit, për regjistrimin e popullsisë dhe detyrimin për heqjen e imunitetit ndaj dy deputetëve të cilët votuan me dy duar në parlament në mungesë të dy deputetëve të tjerë, të cilët ndodheshin në Itali dhe Turqi duke shkelur parimin kushtetues se “vota është vetjake” dhe se ajo nuk delegohet.
Spahiu e cilësoi debatin për regjistrimin si kushtetues dhe juridik, e aspak politik siç e cilësojnë përfaqësues të lartë të qeverisë.
“Koncepti Census, ka dalë nga kur romakët numëronin gjënë e gjallë, është gjoja një koncept inovator për t’u larguar nga regjistrimi i popullsisë, por për të mbetur në të njëjtin vend”, tha ai.
Sipas Spahiut është e padrejtë që 4 milionë shqiptarë të imponohen nën një standard të paqenë, që as shteti fqinj Greqia nuk e aplikoi.
Aleanca KuqeZi paralajmëroi nisjen e protestave në shtator dhe tetor si dhe paralajmëroi se nëse ky regjistrim nuk deklarohet antikushtetues, atëherë do i bëhet thirrje qytetarëve që në mënyrë masive të grisin formularin e regjistrimit etnik.
mit/NOA