English

Tensioni në veri, Topi: Sovraniteti i Kosovës i paprekshëm

Tiranë, 28 korrik 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi nëpërmjet një deklarate për mediat reagoi lidhur me situatën në veri të Kosovës duke thënë se sovraniteti i Kosovës është i pakthyeshëm dhe i paprekshëm.

Në fjalën e tij Presidenti Topi vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm.

Më tej ai i ka dënuar aktet e njëanshme të dhunës duke i konsideruar ato krejtësisht të panevojshme dhe beson shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthim të normalitetit afatgjatë.

Ndër të tjera nga ana e Topit u shpreh mbështetja dhe inkurajimi për vazhdimin e dialogut institucional të iniciuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke e vlerësuar atë si rruga më e mirë për zgjidhjen e problematikave reciproke, si dhe dhënien e kontributit konkret për forcimin e paqes e stabilitetit në përputhje me aspiratat e të gjithë rajonit për integrimin e plotë euroatlantik.

Deklarata e kreut të shtetit shqiptar erdhi pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës si pasojë e konflikteve të krijuara mes serbëve lokalë dhe punonjësve të policisë kosovare në dy pikat doganore të Jarinjës dhe Bërnjakës.

Më tej Presidenti Topi ka ngushëlluar edhe familjarët e efektivit të policisë së Kosovës Enver Zymberi i cili gjeti vdekjen si pasojë e këtyre konflikteve në veri. Në orët e pasdites së djeshme ekstremistë serbë i vunë zjarrin pikës doganore të Jarinjës. Krahas kësaj në vendngjarje mbërritën trupat ushtarake të KFOR-it amerikan, të cilët kanë bllokuar rrugën prej pikës kufitare të Jarinjës drejt Mitrovicës.

Ndër të tjera serbët e rebeluar kanë vijuar të gjuajnë me armë, ndaj policëve kosovar dhe trupave të KFOR-it.

a.y/NOA

KOMENTE