English

Topalli për Kosovën: Koha e ultranacionalizmit ka marrë fund

Tiranë, 28 korrik 2011 NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës si dhe shpreh në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar përkrahjen e pa lëkundur ndaj popullit të Kosovës, Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës në çdo vendim për mbrojtjen e integritetit, kontrollit të kufijve dhe të rendit kushtetues.Nëpërmjet një deklarate zyrtare Topalli shprehet se po ndjek me shqetësim veprimet që grupe vandalësh serbomëdhenj po përshkallëzojnë me djegie dhe shkatërrime përgjatë vendkalimeve të caktuara në kufirin verior të Kosovës.

“ Në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar shpreh përkrahjen e pa lëkundur ndaj popullit të Kosovës, Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës në çdo vendim dhe çdo veprim për mbrojtjen e integritetit, kontrollit të kufijve dhe të rendit kushtetues, për t’i dhëne përgjigjen e duhur dhe të merituar akteve vandale me inspirim ultranacionalist.

Provokimeve, forcat policore të Kosovës ishin të detyruara t’u qëndronin me vendosmëri në përmbushje te detyrës. Unë gjej rastin të shpreh ngushëllimet e mia të thella, familjes së të ndjerit Enver Zyberi”, ka deklaruar Topalli.

Sipas kryetares së Kuvendit, këto provokime janë të destinuara të dështojnë dhe se koha e ultranacionaliznmit ka marre fund një here e mirë.

“Ulja e tensionit, dialogu mes te barabartëve, mbështetja në vlerat dhe parimet e Perëndimit janë rruga e vetme për qetësimin e zhvillimeve. Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë realitete te pakthyeshme”, deklaron kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

a.q/NOA

KOMENTE