English

Topi përgjigjet: Berisha shpik vota, jam jashtë çdo ndikimi politik

Tiranë, 28 korrik 2011, NOA- Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha lidhur me votën e Presidentit Topi që sipas tij i është dhënë kryesocialistit Edi Rama, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të shtetit.

një deklaratë të këtij të fundit thuhet se, Presidenti ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike dhe se çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme.

“Përgjatë muajve të fundit Presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade. Për Presidentin gjithnjë ka mbizotëruar prioriteti publik; - nevoja që politika shqiptare të reflektojë nga gabimet e saj të përsëritura dhe me pasoja direkte për interesat kushtetuese dhe kombëtare të qytetarëve tanë. Për këtë qëllim, përmes apeleve publike, takimeve dhe korrespondencës zyrtare me institucionet politike e kushtetuese Presidenti ka nxitur aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qytetarët dhe vendin”, thuhet në qëndrimin e kreut të shtetit.

Sakaq në vijim thuhet se, në kohën kur Presidenti, ashtu si shumica e qytetarëve dhe vetë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë e janë në pritje të këtij reflektimi politik dhe masave konkrete, fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë duke theksuar se individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqena, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më tej theksohet se Presidenti Topi ka refuzuar dhe refuzon të bëhet pjesë e këtij debati shterpë e të inskenuar, dhe siç e ka deklaruar edhe më parë, votimi i tij më 8 maj ka qenë korrekt.

Sipas tij, çdo tentativë për interpretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve.

Ndërsa lidhur me debatin mbi qëndrimin e Presidentit për nevojën ose jo të ndryshimeve kushtetuese, Presidenti Topi deklaroi se nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij debati dhe se qëndrimet e tij i ka bërë të njohura në kohë, ditë përpara votimit parlamentar të 21 prillit 2008, kur interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione funksionale e të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues të ndarjes dhe të balancës së pushteteve.

Më herët në një konferencë për mediat Kryeministri Berisha komentoi votën e hedhur nga Presidenti i vendit Bamir Topi, pas pyetjes së gazetarëve nëse ai është për President konsensual, duke thënë se: “Ju e shihni se zoti Rama e pati Presidentin, u votua nga Presidenti, u faktua me votë të mbështetja e tij. Unë nuk ndihem i tradhtuar absolutisht aspak, sepse të jeni të bindur që thelbi i përpjekjeve të mia ka qenë që njerëzit të votojnë në gjendje të lirë. Njerëzit do votojnë për atë që duan. Zoti Rama e pati me mish e me shpirt Presidentin, se ai që të jep votën të jep shpirtin politik, dhe ai firmosi me vullnetin politik për të, gjë që i solli mijëra vota mangët në Tiranë”.

a.y/NOA

KOMENTE