Tiranë, 28 korrik 2011, NOA- Pas reagimit të Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha nëpërmjet nj deklarate për mediat ka reaguar edhe Partia Socialiste.
Në qëndrimin e saj, Partia Socialiste shprehet se e ka ndjekur me shqetësim dhunën dhe tensionin e krijuar në veriun e Kosovës, duke i dënuar si të papranueshme dhe të patolerueshme aktet vandaliste dhe kriminale, madje i ka cilësuar si vepër e individëve dhe grupeve ekstremiste që u ka mbetur ora në një kohë dhe një ideologji për të cilën nuk ka më vend në Europën e vlerave, demokracisë dhe tolerancës ku synon të integrohet i gjithë rajoni.
Më tej selia rozë ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e jetës në krye të detyrës së efektivit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi si dhe ngushëllimet për familjarët dhe kolegët e tij.
Në vijimësi PS ka shprehur mbështetjen e plotë për qëndrimin e njëzëshëm të të gjithë aktorëve politikë në Kosovë në lidhje me dhunën e ushtruar në veriun e Kosovës, një qëndrim që sot gëzon mbështetjen e mbarë kombit shqiptar.
“Pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i pamohueshëm i njohur në mënyrë ligjore nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të paprekshme dhe të pacenueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, prandaj është një e drejtë sovrane dhe e pamohueshme e qeverisë së Kosovës, e autoriteteve dhe institucioneve kosovare që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues e ligjor në mbarë territorin e vendit për rivendosjen e rendit publik dhe normalitetit të qëndrueshëm demokratik”, thuhet në qëndrimin e Partisë Socialiste.
Sakaq në vijimësi kjo parti e ka mohuar rrugën e dhunës si zgjidhje e problemeve.
Theksohet se, perspektiva e integrimit euro-atlantik dhe zgjidhja e çështjeve me interes të ndërsjellë Serbi-Kosove përmes dialogut dhe bashkëpunimit mbetet rruga e vetme që i shërben forcimit të paqes, prosperitetit, demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
a.y/NOA