Prishtinë, 28 korrik 2011, NOA – Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe policisë së saj të mos smbrapsen nga aksioni i vënies nën kontroll dhe vendosjes së ligjit në të tërë territorin e Kosovës, duke hedhur idenë e shpalljes së jashtëzakonshme në Kosovë.
Duke marrë shkas nga tensioni i rënduar në veri të Kosovës pas marrjes nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, dhe tërheqjes së trupave speciale, Lëvizja Vetëvendosje propozon një zgjidhje me shtatë pika për situatën e krijuar, që precipitoi në vrasjen e një polici dhe djegien nga ekstremistë serbë të vendkalimit kufitar të Jarinës.
Vetëvendosja deklaroi se me vendimin e 25 korrikut Policia e Kosovës mori nën kontroll pikat 1 dhe 31 të kufirit të Kosovës që nuk ishte nën kontrollin e autoriteteve kosovare që pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 2008, duke dëshmuar se është e mundur që këto pika të vihen nën kontrollin e institucioneve të Kosovës.
Këtu Vetëvendosja theksoi se Qeveria u tërhoq pasi s’kishte plan me disa hapa për këtë aksion, por veçse një hap pa plan.
Ajo nënvizoi se populli i Kosovës ishte i gatshëm bashkë me policinë për të vendosur rend dhe ligj në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, një gatishmëri që nuk e reflektoi qeveria.
Në këtë kontekst Lëvizja Vetëvendosje propozon këtë zgjidhje:
1-Në bazë të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja e Vendit duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në përputhshmëri me këtë nen, Kosova ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes (neni 131, paragrafi 1, pika 1), si dhe ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike (neni 131, paragrafi 1, pika 2).
2-Në ditët e kaluara, institucionet e Kosovës janë sulmuar me armë të ndryshme nga struktura paralele të financuara nga shteti i Serbisë, si dhe është cënuar rëndë sovraniteti i shtetit të Kosovës duke u sulmuar drejtpërdrejtë pikat kufitare të shtetit tonë.
3-Të ndërpritet menjëherë dhe zyrtarisht procesi i bisedimeve me Republikën e Serbisë, dhe të iniciohet sa më shpejtë aktivizimi i gjitha resurseve qytetare dhe institucionale për mbrojtjen e Kosovës.
5-Në ditët në vijim, Kosova duhet që në këtë situatë emergjente të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian që na kanë njohur, si dhe Turqinë për strategjinë e ushtrimit të autoritetit të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e shtetit tonë.
6-Republika e Kosovës menjëherë të fillojë diskutimet me Brukselin për përfundimin e misionit të EULEX-it, dhe ridefinimin e pranisë së BE-së në Kosovë, nga misione me fuqi ekzekutive dhe imunitet prej ligjit, në misione mbështetëse për zhvillim të qëndrueshëm, demokraci e drejtësi. Siç kemi thënë rregullisht në tre vitet e fundit, EULEX në thelb është mision i padrejtë, jo-demokratik dhe nuk e forcon shtetin e Kosovës dhe ngjarjet e fundit vetëm se e kanë dëshmuar këtë edhe në praktikë.
7-Në seanca të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës, qeveria ta diskutojë strategjinë e marrjes së kontrollit në veri të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje bën thirrje për bashkimin dhe mobilizimin e mbarë qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe subjekteve politike e shoqërore për ta mbrojtur Kosovën, e për ta mbështetur policinë dhe institucionet e tjera si rruga e duhur drejt zgjidhjes.
Ajo kujton se mëngjesin e 26 korrikut qeveria vendosi e vetme pa ndonjë plan.
“Qeveria negocioi dhe vazhdon ta negociojë zmbrapsjen”, tha Vetëvendosja.
Sipas saj Policia e Kosovës dhe njësitë e saj në veri nuk u zmbrapsën prej strukturave ilegale të Serbisë atje, por me urdhër të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
mit/NOA