English

Vlorë, asgjësohen dy parcela me 500 rrënjë hashash në malin e Gjormit

Vlorë, 28 korrik 2011, NOA – Në malin e Gjormit, që gjendet në një distancë prej rreth tri orësh nga rruga kryesore, policia e Vlorës ka zbuluar dy parcela të mbjella me bimë narkotike Cannabis Sativa.

Efektivët e antidrogës në Vlorë kanë ecur 3-4 orë në këmbë, për të arritur në zonën ku ishte mbjellë hashashi.

Burime të policisë së Vlorës thanë për korrespondentin e agjencisë NOA se mali i Gjormit ishte identifikuar si një zonë problematike për mbjelljen e cannabis-it.

Sipas policisë nga kontrollet e zonës me helikopter nuk mund të shquheshin sipërfaqet e mbjella me hashash për shkak të pyjeve që rrethojnë zonën.

Tokat me hashash u zbuluan përmes informacioneve të mbledhura në rrugë operative.

Pas gjetjes së 500 rrënjëve cannabis policia e Vlorës ka nisur asgjësimin e saj, fillimisht duke e shkulur me rrënjë bimën narkotike, e më tej duke e asgjësuar nëpërmjet djegies.

Sipërfaqja e tokës ku ishte mbjellë bima, në mal, nuk kishte pronar, e për rrjedhojë policia nuk ka identifikuar asnjë autor për kultivimin e bimës narkotike.

Blutë e Vlorës po hetojnë për identifikimin e kapjen e autorëve.

mit/NOA

KOMENTE