English

Zgjedhjet në 10 njësi vendore, Wollfarth: Çdo qytetar meriton që vota ti numërohet

E enjte, 28 korrik 2011, NOA/ Arjola Ymeraj - Prezenca e OSBE-së në vendin tonë nëpërmjet ambasadorit të saj në Shqipëri Eugen Wollfarth ka shprehur mbështetjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Policinë e Shtetit për administrimin e përsëritjes së zgjedhjeve.

Nëpërmjet një deklarate të OSBE-së, prezenca e këtij institucioni në Shqipëri i huazoi sot një numër telefonash satelitorë Policisë së Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbështetje të veprimtarisë të tyre në zonat e thella rurale gjatë përsëritjes së zgjedhjeve vendore më 31 Korrik 2011.

Nga ana e tij, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth me këtë rast deklaroi: “Pajisjet do të mbështesin kapacitetet e institucioneve të shtetit shqiptar në fushën e komunikacioneve gjatë përsëritjes së zgjedhjeve vendore edhe në zonat më të thella, në të cilat mungon mbulimi i plotë i rrjeteve të telefonisë celulare”.

Sipas tij, “Çdo qytetar shqiptar gëzon të drejtën e votës dhe që vota e tij ose e saj të numërohet, pavarësisht nëse vota është hedhur në qytet apo në një luginë të thellë”.

Mësohet se përveçse do të huazojë pajisjet e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të mbulojë kostot e komunikacioneve për administrimin e përsëritjes së zgjedhjeve. Një mbështetje e njëjtë iu ofrua Policisë së Shtetit edhe gjatë zgjedhjeve vendore të mbajtura më 8 Maj 2011.

Sipas njoftimit të bërë nga OSBE në vendin tonë, asistenca ofrohet në kuadrin e mbështetjes së vazhdueshme të Prezencës ndaj institucioneve të shtetit shqiptar për të bërë të mundur administrimin e suksesshëm teknik të procesit zgjedhor.

Këtë të dielë sipas një vendimi të marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pak ditë me parë u vendosi që në 31 korrik 10 njësi vendore do u drejtohen qendrave të votimit.

Komunat ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme janë komunat Shllak, Shalë, Komuna Qendër-Skrapar, komuna Armen, Pishaj, Mollas, Paper, Zall-Dardhë, Kolsh dhe Finiq.

Mësohet se në zgjedhjet e zhvilluara në 8 maj, në 7 prej këtyre njësive zgjedhjet u cilësuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më vonë nga Kolegji Zgjedhor si të pavlefshme çka çoi edhe në përsëritjen e tyre, ndërsa në tre prej këtyre komunave procesi i votimit nuk u krye fare.

a.y/NOA

KOMENTE