E premte, 29 korrik 2011, NOA- Ditën e masakrës së Oslos, vrasësi Anders Breivik, kishte projektuar edhe disa sulme të tjera.
Për të dëshmuar këtë fakt ka qenë avokati i tij i cili ka treguar për një gazetë norvegjeze se atë ditë Breivik kishte planifikuar sulme të tjera në vende të ndryshme dhe se misioni i tij u ndërpre në mes.
Sipas avokatit të autorit të atentatit të dyfishtë, synimi i kriminelit norvegjez i kapërcen kufijtë e imagjinatës për më tepër po të mendosh që ka vepruar i vetëm.
Ndërsa, siç është shprehur Prokurori i policisë norvegjeze, Paal-Fredrik Hjort Kraby, Anders Behring Breivik do ti nënshtrohet një ekspertize psikiatrike për të verifikuar nëse ishte koshient për pasojat e veprimeve të tij në ato momente.
Edhe pse mbeten 7 viktimat e autobombës të shpërthyer në qendër të Oslos, afër zyrës së kryeministrit Jens Stoltemberg, shkon në 77 në total numri i të vdekurve bashkë me viktimat e atentatit me armë në Utoeya, ku ultranacionalisti dhe anti-islamiku Breivik hapi zjarr mbi një turmë të rinjsh të mbledhur për një takim politik.
Ndërkaq sipas deklaratës së policisë edhe pse mendohet se Breivik ditën e dy atentateve ka vepruar i vetëm, kjo nuk e ul rrezikshmërinë e terrorizmit në vend.
Sulmi i parë- Sulmi i parë i Breivik ishte ai që ndodhi rreth orës 15.00 të pasdites së të premtes së kaluar i cili ndodhi shumë pranë selisë së qeverisë, konkretisht, brenda ambienteve të një prej gazetave më të mëdha në vend, VG. Menjëherë pas kësaj ngjarje nga ana e policisë u bë evakuimi i ndërtesave përreth pasi dyshohej se mund të kishte edhe shpërthime të tjera, pasi nga shpërthimi u dëmtua pjesa më e madhe e dritareve të zyrave të qeverisë si dhe ambientet e godinave përreth, duke lënë të pajetë 7 norvegjezë.
Sulmi i dytë- Pas shpërthimit të ndodhur në kryeqytetin e Norvegjisë në Oslo një tjetër sulm është shënuar pak orë më pas, por këtë herë me armë në ishullin Utoyea, ku rreth 70 persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën.
Sulmi i ndërmarrë nga Anders Breivik ndodhi në një kamp të rinjsh ku kryeministri i vendit Jens Stoltenberg do të merrte pjesë në një takim qeveritar me të rinjtë e Partisë Laburiste.
a.y/NOA