E premte, 29 korrik 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Presidenti Serb Boris Tadiç lidhur me tensionimin e situatës në veri të Kosovës u shpreh sot se pas përplasjeve të ndodhura, dialogu mes Beogradit dhe Kosovës mund të rinisë vetëm kur situata të rikthehet në normalitet.
“Ne dëshirojmë rivendosjen e dialogut, por për ta bërë këtë situata duhet ti kthehet normalitetit, pas ndërhyrjes së Forcave Speciale të Policisë së Kosovës në 26 korrik”, u shpreh Tadiç për mediat.
Ndërsa kryeministri kosovar Hashim Thaçi u shpreh se askush nuk duhet të mendojë se mund të dialogojë për çështje e brendshme të Kosovës, madje tha se me askënd nuk do të negociohet, nuk do të bëhet kompromis për sigurinë e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu Thaçi shtoi se Kosova dëshiron fqinjësi të mirë me Serbinë, si me të gjitha vendet tjera të rajonit, por secili është Zot në shtëpinë e vet.
Ndër të tjera ai ritheksoi edhe njëherë faktin se dialog për fqinjësi të mirë, do të ketë dhe duhet të ketë, por në Bruksel.
a.y/NOA