English

Hetimet për naftën Virgine, arratiset i dyshuari nga Prokuroria

Tiranë, 29 Korrik 2011 NOA – Arratiset Hajri Elezaj, ndërsa prokuroria dështon në arrestimin e të dyshuarit. Pohimin e bëri para pak minutash zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme.

Ajo tha se në vijim të hetimit të çështjes penale lidhur me kontrabandën e naftës Virgine, në ngarkim të pandehurve, Hajri Elezaj, Ilias Fisheku, etj., Gjykata e Apelit Tiranë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë për zëvendësimin e masës së sigurimit të personit nën hetim Hajri Elezaj, nga “Arrest në shtëpi” në masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Ndryshimi i masës nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, ishte vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.404/2, dt. 04.07.2011. Ky vendim është konsideruar I pambështetur në ligj dhe për këtë arsye ishtë apeluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, dje, më dt. 28.07.11, nga Prokuroria e Apelit Tiranë është nxjerrë urdhri për ekzekutimin e masë “Arrest në burg” për të hetuarin Hajri Elezaj.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në zbatim të urdhrit të prokurorisë, ka shkuar në banesën e Hajri Elezaj, dhe konfirmon se personi nën hetim nuk gjendet në banesën e tij, si dhe nuk dihet vendndodhja.

Në këto kushte, kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës Virgine, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur verifikimet për vendndodhjen e të hetuarit, kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit “Arrest në Shtëpi” të Hajri Elezaj.

Prokuroria Shqiptare tha se është e vendosur të hetojë në thellësi dhe gjerësi gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

e.t/NOA

KOMENTE