Prishtinë, 29 korrik 2011, NOA- Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka shprehur shqetësimin për zhvillimet në veri të Kosovës.
Pas kësaj KMDLNj, edhe një herë kërkon zbatimin e ligjit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në këtë pjesë së Republikës së Kosovës duke shtuar se dhuna e bandave kriminale serbe në veri u pa qartë se ishte orkestruar dhe udhëhequr nga kriminelë të veshur me petkun e politikës.
Sipas KMDLNj institucionet e drejtësisë duhet medoemos të ngrenë padi ndaj kriminelëve udhëheqës dhe zbatues të dhunës në veri, duke theksuar se institucionet tjera të Kosovës duhet t’i shpallin persona të padëshirueshëm politikanët nga Serbia që nxitën dhunë në Kosovë dhe të mos lejohen të futen në Kosovë.
Sakaq KMDLNj, gjithashtu i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë informatat për ushtrim të dhunës ndaj personave të komunitetit serbë afër Shtërpcës dhe në Viti.
Ndërsa ndaj policisë ky këshill kërkon që së bashku me institucionet tjera të sigurisë duhet të jenë më vigjilent në sigurimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët, ku thekson se në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ngatërruar pjesëtarët e komunitetit serb me kriminelët që shkaktuan dhunë në veri.
Ndërkaq KMDLNj shprehet se misioni EULEX ka qenë selektiv në veprime, i anshëm dhe me veprimet e tij ka kontribuar në ngritjen e tensioneve në Kosovë.
KMDLNj kërkon që kriminelët që vranë dhe plagosën policë, që terrorizuan banorët e pjesës veriore të Kosovës të hetohen nga Institucionet e Kosovës. Ngritjen e padive penale ndaj Goran Bogdanoviçit, Dragisha Milloviçit, Sllavisha Ristiqit dhe kriminelëve të tjerë është mbrojtja me mirë për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës.
a.y/NOA