Nju Jork, 29 korrik, NOA - Me kërkesë të Serbisë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur konsultime të mbyllura për situatën në Kosovë.
Agjencia France Press bën të ditur se organi i OKB-së ka refuzuar thirrjet e Serbisë për një takim të veçantë të Këshillit, ku do të diskutoheshin tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka protestuar pasi nuk u lejua të adresojë konsultimet. “Është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se përse kaq shumë rezistencë për të dhënë kontribut në debatin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara. Ju mund të pajtoheni ose jo me atë që ka për të thënë Serbia, por të paktën është e drejtë të na dëgjoni – ne nuk u lejuam të dëgjohemi”, tha Jeremiç.
Ambasadori gjerman, Peter Viting, i cili mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit, tha se Bashkimi Evropian ishte organi i përshtatshëm për trajtimin e valës aktuale të dhunës në Kosovë.
NOA/RFE