Shkolla e lartë është një investim i madh për jetën. Bëni kujdes.
Çfarë duhet të dini që zgjedhja juaj të jetë sa më e drejtë?
Për shkollat e larta publike
1) Mbi programin e studimit
Programi i studimit duhet të përgatisë studentët për tregun e punës dhe për studime të mëtejshme. Nëse programi bën pjesë në profesionet e rregulluara, të diplomuarit, pas praktikës profesionale, i nënshtrohen provimit të shtetit, që zhvillohet jashtë shkollës së Lartë.
Profesionet e rregulluara janë: mjekësia, stomatologjia, farmacia, infermieri, mami, fizioterapi, mësuesia, arkitektura, veterinaria dhe inxhinieria.
Përpara zgjedhjes:
- Informohuni mbi programin e studimit.
- Pyesni sa studentë diplomohen në këtë program dhe sa prej tyre janë punësuar.
- Pyesni si zhvillohen provimet e lëndëve dhe si administrohen ato.
- Pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty, janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit.
2) Mbi profesoratin e shkollës
Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj “Master”, “Doktor”, “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”.
- Njihuni me pedagogët e moduleve dhe kualifikimin e tyre.
- Pyesni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët.
- Pyesni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët, dhe për çmimet e teksteve.
3) Mbi përshtatshmërinë e mjediseve
- Vizitoni ambientet, laboratorët dhe informohuni për gjendjen aktuale të tyre; për orarin e bibliotekës dhe për lidhjen me internet.
- Interesohuni nëse shkolla ka konvikte dhe informohuni për gjendjen e tyre.
4) Mbi kujdesin ndaj studentëve
- Informohuni për zyrën e këshillimit të studentëve, për pedagogët kujdestarë dhe për këshillat studentore.
- Pyesni studentët aktualë nëse ata janë të kënaqur me shkollën e lartë që kanë zgjedhur. Për shkollat e larta private 1) Mbi statusin ligjor të shkollës së lartë dhe të programit të studimit
Shkollat e larta dhe programet e studimit duhet të jenë të licencuara me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas licencimit, shkollat e larta dhe programet akreditohen nga Këshilli i Akreditimit, me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Prandaj, përpara zgjedhjes:
- Kërkoni nga shkolla e lartë: Vendimin për licencimin e programit të studimit, si dhe Urdhrin e Ministrit për akreditimin e programit.
- Sigurohuni që programi i studimit të jetë i akredituar përpara lëshimit të diplomës.
- Klikoni gjithmonë faqen e internetit të APAAL www.aaal.edu.al dhe/ose (www.mash.gov.al), për të parë statusin ligjor të institucionit.
- Pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty, janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit.
- Pyesni nëseprogrami bën pjesë në profesionet e rregulluara.
- Interesohuni për mundësinë e punësimit pas përfundimit të studimeve dhe sa për qind e të diplomuarve në programin përkatës janë punësuar.
2) Mbi tarifën e shkollës dhe formën e pagesës
Shkollat e larta duhet të vendosin tarifa shkollimi sipas cilësisë së diplomës që ofrojnë.
Prandaj:
- Informohuni për tarifat e shkollimit dhe për format e pagesës së tyre.
- Tarifat nuk paguhen pa u ofruar shërbimi dhe jo njëherësh për të gjithë programin e studimit.
- Tarifa të favorshme janë tarifat që do të paguhen me këste.
3) Mbi lidhjen e kontratës
Nëse ju vendosni të studioni në një shkollë të lartë private, kontrata që lidhet mes jush dhe shkollës, duhet të jetë në favorin tuaj.
Prandaj:
- Sigurohuni që kontrata të lidhet në prani të një noteri.
- Kërkoni që kontrata të ketë terma të qartë mbi shërbimin që do të merrni, si dhe për format e pagesës së tarifës së shkollimit.
- Kërkoni që në kontratë të vendosen kushtet për të drejtën e çregjistrimit tuaj, nëse shkolla e lartë nuk përmbush detyrat e përcaktuara në të.
- Interesohuni për detyrimet që ka shkolla e lartë ndaj jush, nëse ajo, për shkaqe të ndryshme, ndërpret veprimtarinë e saj.
4) Mbi profesoratin e shkollës
Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj “Master”, “Doktor” e “Profesor”.
Prandaj:
- Njihuni me pedagogët e lëndëve të profesionit.
- Pyesni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët.
- Njihuni me numrin e pedagogëve të punësuar me kohë të plotë dhe kualifikimin e tyre.
- Pyesni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët, dhe për çmimet e teksteve.
5) Mbi përshtatshmërinë e mjedisit
Mjedisi shkollor duhet të akomodojë të gjitha nevojat për studim të studentëve, për të gjitha programet e studimit që ofrohen. Për programet e mjekësisë, të inxhinierisë e të shkencave natyrore, shkolla e lartë duhet të zotërojë laboratorë për orët e praktikës. Biblioteka duhet të këtë literaturë të përdorshme në orën e mësimit dhe online.
Përpara se të zgjidhni: vizitoni sallat, laboratorët dhe bibliotekën, mjediset e praktikave mësimore dhe lidhjen me internet për të gjithë shkollën.
6) Mbi kujdesin ndaj studentëve
Informohuni nga shkolla, si dhe pyesni studentët aktualë:
- Si funksionojnë Programet e Tutoriatit, Këshilli Studentor, si dhe Zyrat e
Këshillimit të Studentëve?
- A janë të kënaqur me shkollën që kanë zgjedhur?