English

Reforma Zgjedhore, Meta: Është urgjente, kusht për integrimin

Tiranë, 29 korrik 2011, NOA – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka bërë thirrje për reformim të Kodit Zgjedhor. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Meta ka deklaruar se zgjedhjet e 8 Majit ishin transparente, ndërkohë që e vuri theksin tek nisja e reformës zgjedhore, e penguar sic tha ai nga opozita. Meta i bëri thirrje forcave politike të nisin punën për reformën zgjedhore, duke kontribuar kështu edhe për integrimin e vendit.

“Reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese, apo ndryshime të tjera. Këto janë çështje të ndryshme. Përsa i takon reformës zgjedhore, ka një urgjencë sepse zgjedhjet e qershorit të 2013 janë afër, nuk janë larg. Dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente dhe të pjekur dhe jo të nxituar”, u shpreh Meta.

Sipas tij është në dinjitetin e forcave politike, që të bashkëpunojnë pa kushte, në një reformë të tillë gjithpërfshirëse, që t`i japë fund diskriminimit të forcave politike.

“Tashmë kapitulli i zgjedhjeve të 8 Majit është mbyllur dua t’i cilësoj si zgjedhjet me të pastra dhe më të rregullta të zhvilluara ndonjëherë sic janë shprehur edhe ndërkombëtarët. Këto zgjedhje sollën në pah rinisjen e një reforme zgjedhore që t’i japë zgjidhje cdo lloj shqetësimi që vjen nga bërja e përgjysmuar e kodit zgjedhor. Është në interes të forcave politike të bashkëpunojnë duke i dhënë fund diskriminimit të forcave politike. Reforma zgjedhore duhet të kishte filluar menjëherë pas zgjedhjeve të 2009, pengesat kanë qenë nga opozita, kjo është për të ardhur keq. Eshtë e rëndësishme që kjo reformë që kërkohet edhe nga ndërkombëtarët të mos mbetet nga fundi”, bëri me dije Meta. Duke u ndalur tek zgjedhjet në kryeqytet, kreu i LSI-së, deklaroi se ato ishin leksioni më i mirë, që morri çdo qytetar për rëndësinë edhe të një votë të vetme.

“Pas këtyre zgjedhjeve është rritur ndërgjegjësimi i çdo qytetari, që vota e tij vlen, që është pëcaktuese dhe se mund të jetë vendimtare”, ka deklaruar Meta në takimin e Komitetit Drejtues të LSI-së.

a.q/NOA

KOMENTE