Bulqizë, 29 korrik, NOA - Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 5-të të grevës së urisë, e cila ka nisur pas refuzimit të kërkesave të tyre nga kompania që ka marrë të drejtën e shfrytëzimit të minierave dhe institucionet qeverisëse përkatëse. Gjendja shëndetësore e minatorëve është e rëndë, pasi greva zhvillohet rreth 1000 metra nën tokë, në galeritë e minierës së Bulqizës.
Gjatë ditës së djeshme një prej minatorëve është dërguar në spital edhe është detyruar të ndërpresë grevën, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Dje minatorët kanë shtuar dhe kërkesat e tyre ndaj kompanisë që ka marrë përsipër shfrytëzimin e minierës në Bulqizë. Ata kanë kërkuar largimin e drejtuesit të firmës dhe rritjen e pagës me 40 për qind dhe jo 20 për qind siç ka qenë më parë.
a.k/NOA