English

12 persona në pranga për mashtrim kompjuterik

Tiranë, 30 korrik 2011, NOA – Pas gjashtë muajsh hetimi, 12 persona, mes të cilëve një punonjës policie, kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës nën dyshimin e mashtrimit kompjuterik.

Arrestimi i 12 shtetasve në kryeqytet mbrëmjen e të premtes u finalizua përmes operacionit policor të koduar “Transmetimi II”.

12 personat dyshohet se nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe internetit kanë transmetuar në mënyrë të paligjshme sinjalin e disa Kompanive Televizive Dixhitale.

Zëdhënësja e policisë së kryeqytetit Alma Katragjini bëri me dije në një konferencë për shtyp se “Në kuadër të këtij operacioni policor u morën dhe u zbatuan 20 vendime të Gjykatës së Tiranës, për lejimin e kontrollit të ambjenteve në disa subjekte tregtare dhe banesa të cilat ndodheshin në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës, Gramsh, Mallakastër, Në këto ambjente dyshohej se nëpërmjet pajisjeve elektronike dhe Internetit është transmetuar në mënyrë të paligjshme sinjali i disa kompanive televizive dixhitale si “Digitalb”, “Tring”, “Sky”, “Nova” etj.”, tha Katragjini.

Me akuzën e mashtrimit kompjuterik në prangat e policisë ranë Ervin Hiqmet Capi, 23 vjeç, banues në Tiranë, me profesion Inxhinier Informatike; Dorian Meto Ligori, 30 vjeç, banues në Tiranë; Boiken Shyqyri Koçi, 23 vjeç, banues në Tiranë, Student; Erlin Ndriçim Shehaj, 25 vjeç, banues në Tiranë, me Profesion Inxhinier; Petrit Nevruz Dilaveri, 63 vjeç, banues në Tiranë, Punonjës Policie; Kidas Daut Mehmeti, 23 vjec, banues në Tiranë, Student; Aleks Filip Çuko, 59 vjeç, banues në Tiranë; Enri Valer Miho, 21 vjeç, banues në Tiranë, Student; Aldo Orlando Frashëri, 26 vjeç, banues në Tiranë, Profesioni Inxhinier; Klodian Nikolla Braçe, 33 vjeç, Biznesmen; Vasil Dhimitër Fani, 46 vjeç, banues në Tiranë, me profesioni Inxhinier dhe Altin Besim Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë, Biznesmen.

Gjatë kontrolleve nëpër banesat e tyre apo edhe në subjektet tregtare policia e Tiranës sekuestroi 46 aparate të ndryshme të klonuara për marrjen dhe transmetimin e sinjaleve televizive, 9 Sisteme kompjuterike të përshtatura si servera, për administrimin e rrjetit të transmetimit, 6 Njësi kompjuterike “Laptop”; 4 Modeme; 134 CD dhe 36 Karta televizive dixhitale të ndryshme.

Policia e Tiranës po vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

mit/NOA

KOMENTE