English

Buhler paralajmëron Serbinë: Është hera e fundit që KFOR tërhiqet

E shtunë, 30 korrik 2011, NOA- Pas marrëveshjes së arritur me Serbinë lidhur me veriun e Kosovës komandanti i KFOR, Erhard Buhler, është shprehur se është hera e fundit që forcat tërhiqen, duke shprehur gatishmërinë për të mbajtur nën kontroll të gjitha pikat kufitare.

Më tej, në fjalën e mbajtur për mediat në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ai ka konfirmuar se ka tërhequr trupat nga fshati Rudare, në vendin ku rruga ishte bllokuar nga serbët lokalë, duke vijuar se ky veprim është ndërmarrë në shenjë të vullnetit të mirë për të stabilizuar gjendjen.

Komandanti i KFOR theksoi se, kjo është hera e fundit që KFOR-i bën tolerime.

“Hoqa dorë nga e drejta ime për të përdorur dhunë, ka qenë hera e fundit dhe nuk do të ketë më tolerime. KFOR-i ka nevojë për lëvizje të lirë, herën tjetër do ta sigurojë lëvizjen edhe me dhunë nëse është e nevojshme”, tha Buhler.

Sipas tij, nëpër pikëkalime, për shkaqe humanitare, do të lejohet kalimi vetëm i automjeteve të vogla dhe të personave, ndërsa për sa i përket automjeteve të rënda, ato do të ndalohen.

Sakaq ai tha se, ka vetëm një polici, si në veri ashtu edhe në jug dhe të gjithë zbatojnë urdhrat e ardhur nga Prishtina.

Komandanti Buhler sqaroi se në pikën doganore numër 1, për sa kohë që nuk janë riparuar dëmet nuk do të ketë kthim të policisë e doganierëve, për të nënvizuar se, në pikën doganore 31, gjendja po i kthehet normalitetit, pasi atje sipas tij gjenden policë e doganierë kosovarë.

a.y/NOA

KOMENTE
  • Admirimi08:19 - 30 Korrik 2011
    Nuk duhet te kete asnje tolerim per ato mskarejn, sepse jane meswuar keq , ato e duan ballit.