E shtunë, 30 korrik 2011, NOA- Minatorët e Bulqizës të cilët prej gjashtë ditësh janë përfshirë në grevën e urisë 1400 metra nën tokë në ambientet e minierës, sa vjen dhe po rëndohen nga ana e shëndetit.
Vetëm pak më parë u raportua edhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të njërit prej tyre i identifikuar si B. Toska.
Ndërkaq që prej orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në unison pjesëmarrësit e grevës së urisë kanë vendosur që të shkëpusin çdo lloj komunikimi me ambientet jashtë, duke thelluar më tepër shqetësimin për gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndonëse nga dita në ditë po shtohet edhe numri i minatorëve të cilëve po u përkeqësohen kushtet e shëndetit, sipas mjekëve të cilët ndodhen edhe në ambientet jashtë minierës kjo vjen edhe për shkak të mungesës së ajrit në ambientet e grevës.
Krahas minatorëve që prej ditësh kanë nisur grevën e urisë janë edhe dhjetëra të tjera, ata që janë shprehur të gatshëm për t’iu bashkuar shokëve të tyre.
Nga ana e minatorëve kërkohet ulja e moshës së pensionit, rritja e kushteve të sigurisë në punë si dhe rritja e pagave në masën 40 për qind, por krahas këtyre kërkohet edhe largimi i drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës.
Pavarësisht këtyre kërkesave në ambientet e grevës asnjë përfaqësues i kompanisë ACR nuk u është përgjigjur grevistëve.
a.y/NOA