English

Fitorja e Kosovës

Nga Mentor Nazarko

Ngjarjet e fundit në Kosovë janë ngjarje që i kalojnë kufijtë e Kosovës, megjithëse formalisht zhvillohen në kufijtë e saj. Pikërisht pse kalojnë kufijtë e saj të njohur nga marrëveshje ndërkombëtare dhe 77 shtetet që e kanë pranuar sovranitetin kosovar, këto ngjarje janë afirmimi më i fundit i këtyre kufijve. Janë disa argumente që flasin në favor të këtij përfundimi. Është mirë që këto argumente të diskutohen, sa kohë që ende ka njerëz të paqartë mbi dobinë e vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin me çdo kusht të parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare me Serbinë dhe zhvillimet e mëpasme, që treguan se këto masa ishin parathënie. e afirmimit të plotë të sovranitetit të Kosovës në kufijtë e saj me Serbinë. Rekomandimi thelbësor për të kuptuar këto zhvillime, është ai që nënkuptohet pak më sipër: ngjarjet në Kosovë nuk duhen parë me optikë lokale dhe aq më tepër mbi bazën e miteve tona brendakombëtare që e rrëfejnë edhe në këngë Europën si “zuskë e vjetër”, ndaj së cilës s’duhet pasur besim dhe duhet pasur vigjilencë. Brenda kësaj optike, për të kuptuar dobinë e masës së reciprocitetit, dërgimin e Policisë speciale në pikat 1 dhe 31, sjelljen e autoriteteve të Kosovës në të gjithë këto ngjarje, mjafton që të shohim rezultatin final të këtyre zhvillimeve. Sot, në të gjitha pikat doganore, gjegjësisht kufitare të Kosovës me Serbinë, ka kontroll të shtetit të Kosovës në koordinim me KFOR-in. Madje, duke qetësuar pesimistët, vendimi i KFOR-it, për t’i shpallur ato pika si zona ushtarake, është një afirmim më i fuqishëm sovranitetit, sesa nëse atje thjesht do të vendosej e pa shqetësuar Policia e Kosovës së bashku me doganierët e saj. Vendosja e KFOR-it në ato pika doganore nuk është për reciprocitetin: është shprehje e një vendimi të koordinuar ndërkombëtar për pandryshueshmërinë e kufijve të Kosovës, pra kundër ndarjes së Veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e territorit të saj.

Së dyti, sjellja e përmbajtur e qeverisë së Kosovës, me gjithë sakrificën e një polici, është padyshim kyçi i suksesit të saj, në këtë përplasje e Serbinë në arenën ndërkombëtare. Serbia inicioi një seancë dëgjimi në OKB, në

të cilën dështoi pikërisht pse ajo ishte nga ana e dhunës: nuk pati qytetarë serbë të vrarë apo të plagosur, por policë të Kosovës, pati objekte të djegura dhe sulme mbi vetë KFOR-in. Maturia e qeverisë realisht i hoqi nga dora Serbisë argumentet mbi të cilat do të kërkonte rikthimin në gjendjen e mëparshme. Dështimi i Serbisë duket qartë nga fjalët e dëshpëruara të ndërmjetësuesit serb Stefanoviç, i cili tha se “KFOR-i nuk do të lëshojë pe, ndërsa afirmoi sovranitetin e kufijve të Kosovës me vendosjen e njësive të tij në të gjithë pikat doganore. “Madje Stefanoviçi, gjegjësisht Serbia kaloi në pozitë vetëmbrojtëse, sepse u detyrua të shfajësohej për sulmet mbi pikat doganore duke thënë se “nuk ishin serbë lokalë, por huliganë etj., që nuk përfaqësojnë Serbinë”. Këto ngjarje kanë krijuar premisa që kritikët e Serbisë brenda Bashkimit Europian të kërkojnë të shtyjnë marrjen e ftesës për anëtarësim të këtij vendi.

Së treti, vendosja e kontrollit të miqve ndërkombëtarë të Kosovës në kufijtë e saj është një masë që do të reflektojë shumë brenda kufijve, në pjesën veriore të Kosovës. Serbët e Kosovës do të detyrohen të kuptojnë dalëngadalë se jetojnë në një realitet shtetëror tjetër, kur të shohin vendosjen e shumë kufizimeve në jetën e tyre, që vijnë prej mbylljes së kufirit. Pikërisht për të mos e bërë shumë traumatike për ta mbylljen e kufijve, njëlloj si në tenxheren e presionit, qeveria e Kosovës duhet të studiojë masa që kjo mbyllje të mos jetë dëshpërimisht traumatike për ta.

Së katërti, qeveria e Kosovës në një farë mënyre e shfajësoi veten për akuzat që i bëhen vazhdimisht nga një pjesë e opozitës se është e lidhur me kontrabandën me mallrat serbe. Veprimi i saj i vendosur nuk mund të diskutohet. Por, megjithëse me shumë gjasa në bisedime do të ketë njëlloj lëshimi nga ana e Serbisë dhe mallrat serbe do të rihyjnë në Kosovë, do të duhen parë masa që e riorientojnë tregun e Kosovës kah Shqipëria, Maqedonia dhe më larg, drejt Perëndimit.

Së pesti, qeveria e Kosovës e vendosi veten e vet në një pozitë të favorshme në bisedimet e ardhshme me Serbinë. Me shumë gjasa, ngjarjet e fundit ishin një përgjigje e përbashkët e Perëndimit plus Kosovën për Beogradin se çështja e Veriut nuk mund të diskutohet kurrë në terma ndarjeje. Kjo është një përgjigje dhe për kritikët e brendshëm se qeveria po pranonte një ndarje de jure të Kosovës nëpërmjet bisedimeve. Po si ndodhën këto zhvillime, që vështirë se nuk kanë qenë të koordinuara- në kohë (masat e reciprocitetit, trupat speciale, djegiet, KFOR-i në kufi)dhe në hapësirë (mirëkuptimi me KFOR-in, gjegjësisht Perëndimin në çdo hap deri te zgjidhja finale- shpallja e pikave doganore si zona ushtarake)? Veprime të tilla nuk do të zbulohen plotësisht as disa vite më vonë, por mundemi të bëjmë një hipotezë të përafërt.

Nga diskutimi i vendosjes së masave të reciprocitetit me perëndimorët, mund të ketë lindur plani i zhvillimeve që pasuan sipas kësaj renditjeje:

1. Vendosje e masave të reciprocitetit në Merdare.

2. Kontroll në pikat 1 dhe 31 dhe dërgim i trupave speciale me doganierët dhe Policinë e Kosovës.

3. Reagim i parashikuar gati-gati sipas një gracke i serbëve lokalë dhe i huliganëve të importuar, me vrasje policësh me snajperë, djegie e pikave doganore, sulme mbi KFOR-in dhe më në fund;

4. ndërhyrja përfundimtare e KFOR-it në pikat hyrëse, duke i shpallur ato zona ushtarake.

Pse KFOR-i, dhe jo EULEX-i? Mund të ketë pasur një sherr të vogël kompetencash mes këtyre dy misioneve, por pa asnjë dyshim ka pasur koordinim të plotë mes tyre me gjithë kritikat e forta që vijnë prej disa qendrave kosovare për EULEX-in. Kritikët e dinë se EULEX-i është i drejtuar nga një francez (kujtoni qëndrimet pro qeverisë së Kosovës të ambasadorit francez) nga një britanik dhe amerikanët janë gjithashtu të pranishëm në

EULEX në nivele të larta drejtimi. Është vendosur KFOR-i, sepse mbrojtja e kufirit është çështje ushtarake dhe jo e vendosjes së ligjit. EULEX-i duhet të jetë përjashtuar nga një operacion si ky, se në fund të fundit brenda

Kosovës nevojitet një mision që të ketë besimin edhe të palës serbe. Ndoshta edhe sepse sipas një studiuesi amerikan, BE-ja s’ka qasje tjetër ndaj Serbisë, veç ftesës për anëtarësim. Kështu, mbërritëm në pikën finale. Masat

e reciprocitetit ngjajnë të jenë vetëm mbulesa e një veprimi të koordinuar të autoriteteve kosovare me ato perëndimore. Për të zgjidhur jo një problem rendi dhe vendosje të ligjit siç është kontrolli doganor, por për të konfirmuar

kufijtë e Kosovës në rrugë ushtarake. Kështu, Kosova e fitoi një betejë të rëndësishme me Serbinë. Në kufijtë e vetë, por edhe jashtë kufijve të saj.

Gazeta Panorama

KOMENTE