Bulqizë, 30 korrik 2011, NOA Update – Në ditën e gjashtë të grevës së urisë, 15 minatorët e ngujuar në grevë urie 1400 metra nën tokë po përballen jo vetëm me kushtet e vështira në minierë, por ata kanë ndërprerë edhe çdo lidhje me mbitokën.
Ndërkohë që njëri prej minatorëve doli nga greva e urisë dhe u dërgua në spitalin rajonal për shkak të përkeqësimit të shëndetit, 15 të tjerët këmbëngulin të vazhdojnë grevën deri në fund duke mos pyetur për rrezikun e jetës.
Mjekët e spitalit të Bulqizës thonë se shëndeti i minatorit të shtruar në spital sot është normalizuar.
Grevistët e minierës së kromit kanë vetëm një pikësynim, përmbushjen e kërkesave të tyre jetike.
Nga jashtë minierës, minatorët grevistë mbështeten nga minatorët e tjerë të Bulqizës.
Minatorët kërkojnë njëzëri prej tashmë gjashtë ditë grevë urie dhe afro një muaji protestë pranë kompanisë austriake ACR rritjen e pagës me 40 përqind, rritjen e kushteve të sigurisë në punë, uljen e moshës së pensionit, largimin e firmave të paliçencuara nga miniera e Bulqizës si edhe largimin e drejtorit aktual të minierës së Bulqizës.
Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten potenciale për aq kohë sa ata nuk marrin një përgjigje të sinqertë nga kompania koncensionare, e cila dy ditë më parë bëri me dije se ishte gati të plotësonte kërkesat për rritjen e rrogës deri në 20 përqind, porse e kushtëzoi këtë me mospraninë e krerëve të konfederatës në takimin me minatorët, gjë që u kundërshtua prerë nga minatorët.
mit/NOA