E shtunë, 30 korrik 2011, NOA- Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore në të cilën bëjnë pjesë një numër i madh biznesmenëve më të dalluar në vend, kërkon që sa më shpejtë që është e mundur të aplikohet lëvizja e lirë e qytetarëve të rajonit vetëm me letërnjoftime.
Kjo kërkesë është parashtruar gjatë një tryezë të rrumbullakët, në kuadër të projektit ndërkufitar “Biznes pa kufij” me temë boshte “Bashkëpunimi ndërkufitar midis grupeve të interesit”.
Ndër të tjera në këtë tryezë është parë e domosdoshme edhe heqja e kartonëve jeshil për zonat e përshkruara ndërkufitare, të kërkuara edhe nga Bashkimi Europian, akreditimi dhe njohja e certifikatave të cilësisë së mallit që importohet, përshpejtimi i procedurave të doganimit, vënia e një linjë ujore të lundrimit ndërmjet vendeve të rajonit (Maqedoni – Shqipëri), që do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit dhe këmbimit të mallrave si dhe përshpejtimi i ndërtimit e përfundimit sa më të shpejtë të Rrugës së Arbrit, në të dy anët e kufirit etj.
Në punimet e kësaj tryeze të rrumbullakët kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Drejtorisë së doganave të Maqedonisë, dhe Shqipërisë, nga Ministria e punëve të jashtme të Maqedonisë, Agjencisë së sigurimeve UNIQA, Agjencia për ushqim dhe veterinari e Maqedonisë, Ministrisë së ekonomisë si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së transportit dhe lidhjeve të Maqedonisë.
Projektin ndërkufitar “Biznes pa kufij” me temë boshte “Bashkëpunimi ndërkufitar midis grupeve të interesit” e prezantoi Mirlinda Rushiti-Bytyqi, pas fjalës përshëndetëse të kryetarit të Odës , Menderes Kuçi dhe përfaqësuesit të komunës së Strugës, Vlladisllav Zhupan.
Ajo tha se, Oda ekonomike e Maqedonisë, në bashkëpunim me Dhomën e tregtisë dhe industrisë së Tiranës, kanë aplikuar për IPA fondet, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim të ndërsjellë me Odën ekonomike të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ideja e këtij bashkëpunimi ka qenë dhe është komunikimi dhe bashkëpunimi interaktiv ndërmjet odave ekonomike të këtyre vendeve.
(INA)/NOA