Nju Jork, 30 korrik 2011, NOA – Pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës gjatë ditëve të para të kësaj jave dhe incidenteve të atjeshme të shkaktuara nga ekstremistë serbë ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun, i cili bëri thirrje për qetësim të situatës dhe domosdoshmërinë e kthimit të sigurisë në Kosovë.
Duke përshëndetur rolin pozitiv të KFOR-it në përmbushjen e këtij synimi, Ban Ki-Mun i ftoi të gjitha palët që kontribuojnë në qetësimin e situatës.
Këtë deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e bëri gjatë takimit në Nju Jork me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, të cilit i shprehu mbështetjen e plotë të OKB-së për stabilitetin dhe paqen në Kosovë.
“Përkundër ndarjeve brenda në Këshillin e Sigurimit për çështje të caktuara lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e mbështesin stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, tha Ban Ki-Mun, i cituar nga Bota Sot.
Ministri Hoxhaj e informoi atë për pabarazinë në marrëdhëniet e lira tregtare mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për gjendjen në veri të Kosovës, duke i shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për paqe dhe stabilitet.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi se ishte shumë e rëndësishme që ai të dëgjonte qëndrimet e të dyja palëve.
Duke folur për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, ministri Hoxhaj ka akuzuar Serbinë për krijimin e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës në 12 vjetët e fundit.
“Djegia e pikave kufitare, dhuna dhe tensionet e krijuara, janë veprime mbrapa të cilave në mënyrë të drejtpërdrejt qëndron Qeveria e Serbisë, e cila këto 12 vjetet e fundit përmes strukturave paralele ka rrezikuar paqen dhe stabilitetin brenda Kosovës. Dhe ka punuar në mënyrë intensive që ta minojë shtetësinë e Kosovës”, shtoi Hoxhaj.
Sipas tij veprimet e fundit të ndërhyrjes agresive të Qeverisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës janë të influencuar nga deklaratat e 6 muajve të fundit të zyrtarëve serbë deri nga vetë presidenti serb Tadiç.
Ministri Hoxhaj tha se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës janë pjesë e një axhende politike të Serbisë për ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës, që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera të rajonit, duke përfshirë vetë Serbinë.
“Në asnjë formë, në asnjë kohë, në asnjë rrethanë, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë, Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë një gjë të tillë. Kufijtë në Ballkan janë çështje e mbyllur. Dhe gjithë popujt duhet të punojnë për një të ardhme europiane”, deklaroi ministri i Jashtëm i Kosovës.
Kryediplomati i Kosovës e informoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se Serbia në tre vitet e fundit ka qenë e papenguar në eksportimin e mallrave në Kosovë, ndërsa Kosovës kjo e drejtë i është mohuar.
mit/NOA