English

Thaçi: Durimi ynë u keqkuptua, nuk ka kthim prapa

Prishtinë, 30 korrik 2011, NOA – Pesë ditë pas aksionit të marrjes nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se nuk do të ketë kthim prapa në dhënien fund të status quo-së që mbante peng jetën normale të qytetarëve që jetojnë në veri.

Duke e cilësuar si një status quo të hidhur që mbante peng edhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, shefi i ekzekutivit të Kosovës theksoi se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, në pikat kufitare 1 dhe 31, për të siguruar zbatimin e masave të reciprocitetit kufitar dhe vendosjen e sundimit të ligjit kanë qenë veprime krejtësisht legjitime, dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga askush.

Gjatë konferencës së përbashkët me shefin e EULEX-it De Marnac, me fokus kryesor zhvillimet e fundit në veri të vendit, dhe domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve, kryeministri Thaçi ripërsëriti se vendosja e rendit dhe ligjit në veri të vendit nuk është e drejtuar kundër qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb që jeton në veri.

“Durimi ynë është edhe keqkuptuar dhe keqpërdorur, tha shefi i qeverisë së Kosovës. Që nga 25 korriku, Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në respektim të ligjit dhe të sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit. Nuk mund as të mendohet që të bëjmë ndonjë hap mbrapa. Opinioni i gjerë publik e di mirë se ne jemi munduar që përmes dialogut me Serbinë të zgjedhim shumë probleme praktike”, nënvizoi Thaçi duke theksuar se bashkëpunimi me Serbinë nuk don të thotë asesi se Serbisë do t’i jepet e drejta e vetos për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Sipas tij qëllimi i ndërhyrjes në veri është për të vendosur rendin dhe ligjin, dhe për t’u ofruar qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit të njëjtat mundësi dhe shërbime, si për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës rikujtoi se qytetarët në veri janë të dërmuar nga krimi dhe kontrabanda e papenguar në 12 vitet e fundit.

“Ata duan, dhe meritojnë të jetojnë një jetë normale në kuadër të respektimit të ligjit dhe jo të jetojnë në një hapësirë ku ligji është i zëvendësuar me kontrabandë dhe kriminalitet”, tha Thaçi duke i bërë me dije miqve ndërkombëtarë se “ne nuk do të mund të jemi indiferent dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës”.

“Unë jam i sigurt se EULEX do të bëj veprime konkrete në të ardhmen, të cilat janë në përputhje të plotë me vetë mandatin e misionit, dhe që janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi. Unë i kam ofruar përsëri bashkëpunim të plotë EULEX-it që bashkërisht, në mënyrë të civilizuar dhe demokratike, të punojmë që të vendosim rendin e ligjin edhe në veri të vendit”, i tha shefit të EULEX-it kryeministri i Kosovës.

Ai tha se kjo është nevojë fondamentale për ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Ndërkohë shefi i Misionit të EULEX-it, Xavier de Marnhac deklaroi se “E vetmja rrugë përpara në gjetjen e një zgjidhje për situatën aktuale është nëpërmjet dialogut. Është nëpërmjet dialogut, siç thatë ju, që të dy palët së bashku mund të zgjidhin çështjet themelore të ditës. Dhe më lejoni të shtoj se EULEX-i ka mbështetur gjithmonë rivendosjen e kontrollit të plotë të doganave në tërë Kosovën”, nënvizoi zoti de Marnhac. mit/NOA

KOMENTE