English

8 maji i dytë në 10 njësi vendore, zhvillohet pa probleme

E diel, 31 korrik 2011, NOA- Që nga ora 07.00 e ditës së sotme 10 njësi vendore shënojnë fundin e procesit zgjedhor të 8 majit.

Ndërsa siç ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve komunat ku po mbahen zgjedhjet ditën e sotme, të cilat do të shënojnë edhe fundin e votimeve të nisura më 8 maj janë komunat Shllak dhe Shalë, Qarku Shkodër, Pishaj dhe Papër, Qarku Elbasan, komuna Mollas, Qarku Korçë, komuna Kolsh, Qarku Lezhë, komuna Armen dhe Finiq në Qarkun Vlorë, komuna Qendër Skrapar, Qarku Berat dhe komuna Zall Dardhë, Qarku Dibër.

Janë rreth 36 mijë numri i votuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë proces të pjesshëm zgjedhor, ndërsa janë ngritur 102 qendra votimi.

Përsëritja e këtyre vjen pasi në dy prej këtyre komunave në Shllak, Pishaj votimi nuk u krye fare ndërsa në 8 të tjerat ato u cilësuan si të pavlefshme si nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe nga ana e Kolegjit Zgjedhor si organi më i lartë që merret me gjykimin e problemeve zgjedhore.

Ndërkaq në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kreu i tij Arben Ristani duke iu referuar problemeve që kanë sjellë subjektet politike për emërimin e komisionerëve në këto njësi vendore, u shpreh se partitë kanë strategji për të prishur zgjedhjet në këto komuna.

Ndërkaq deri në këto momente procesi i votimit po zhvillohet normalisht dhe pa probleme, ndërsa vihet re një pjesëmarrje relativisht e ulët në votim.

a.y/NOA

KOMENTE