Dhërmi, 31 gusht 2011, NOA/Irma Toptani – Pak ditë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës kur qeveria e Kosovës vendosi të marrë nën kontrollin e saj dy vendkalimet kufitare me Serbinë, atë të Jarinës dhe Bërnjakës, Kryeministri Sali Berisha ftoi këtë fundjavë homologun e tij Hashim Thaçi, i cili fluturoi drejt jugut të vendit, për t’u takuar me zotin Berisha në rezidencën qeveritare në plazhin e Dhërmiut, ku kryeministri po pushon prej disa ditësh me familjen e tij.
Ky është takimi i parë kokë më kokë mes dy kryeministrave Berisha e Thaçi pas ngjarjeve në veri të Kosovës, që shkaktuan vdekjen e një polici të njësisë speciale të Policisë së Kosovës dhe djegien e mjediseve pranë pikës kufitare të Jarinës, të shkaktuara nga ekstremistë serbë.
Ngjarjet më të fundit në Kosovë që sollën edhe reagimin në kor të ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan qetësimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve përmes dialogut ishin lajtmotivi i takimit mes dy homologëve shqiptarë.
Kryeministri Berisha gjatë mikpritjes së mysafirit nga Kosova në vilën qeveritare në Dhërmi i dha mbështetjen e fuqishme homologut Thaçi, për aksionin në garantimin e rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Kryeministri e garantoi homologun Thaçi se qeveria shqiptare e mbështet qeverinë e Kosovës në vendimin për të marrë nën kontroll të plotë sipas ligjeve dhe kushtetutës të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës.
Shefi i ekzekutivit i bëri rishtas me dije kryeministrit të Kosovës se qeveria e tij po i ndjek me shqetësim provokimet e bandave të serbomëdhenjve në kufirin verior të Kosovës, që rreken të kryejnë akte kriminale në veri për të cënuar rendin kushtetues në Kosovë, integritetin dhe kontrollin e territorit të Kosovës.
Kryeministri Berisha gjatë bisedës me homologun Thaçi dënoi aktet kriminale të ekstremistëve serbomëdhenj në pikat kufitare në veri të Kosovës, vrasjen e oficerit Enver Zymberi, djegien e ndërtesave të doganave dhe sulmin ndaj njësive të KFOR-it në vendkalimet kufitare.
Kreu i ekzekutivit ritheksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare t’i dhënë Kosovës të gjitha lehtësirat portuale për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj, me pasoja sa më të vogla, bëjnë me dije burime pranë kryeministrit.
Kryeministri Berisha e inkurajoi kryeministrin Thaçi që të vijojnë dialogun me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit, i cili i shërben të dyja palëve në bisedime dhe paqes e stabilitetit në rajon.
mit/NOA