Tiranë, 31 korrik 2011, NOA – Pas deklaratave të fundit të disa prej anëtarëve të selisë rozë se dyert e Partisë Socialiste nuk janë mbyllura për LSI-në dhe se mund të rishihet mundësia për një riogranizim të opozitës bashkë me LSI-në brenda saj ka reaguar edhe zëvendëskryeministri njëherësh nënkryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto, i cili deklaroi se askush nuk duhet të bëjë plane për riorganizimin e opozitës e aq më pak të bëjë pjesë të tyre LSI-në, e cila është parti në pushtet dhe pjesë e koalicionit qeveritar.
Zoti Haxhinasto theksoi se “askush në opozitë nuk duhet të bëjë plane për riorganizimin e opozitës me mendjen e tij, duke mos marrë në konsideratë qëndrimet, vlerësimet, vizionin dhe angazhimet e LSI-së. Janë bërë gabime të tilla edhe më parë. LSI, qëndrimi i saj, pozicionimi i saj nuk është marrë në konsideratë, me një fjalë popullore janë 'bërë hesape pa hanxhinj”.
Sipas nënkryetarit të LSI-së çdo riorganizim i opozitës, u takon atyre që janë në opozitë, duke argumentuar se rruga e LSI-së në të ardhmen është shumë e qartë për këtë forcë politike, ajo është axhenda politike e integrimit dhe e zhvillimit të vendit drejt BE-së.
Në një intervistë për televizionin Vizion +, Haxhinasto flet edhe për ndryshimet kushtetuese që pritet të kërkojë opozita në muajin shtator, posaçërisht për mënyrën e votimit të Presidentit të Republikës, për të cilat thekson se duhet të jetë një proces i gjerë diskutimi, me ekspertë, grupet e interesit, dhe jo një aferë me qëllime partiake.
Më tej në intervistë zëvendëskryeministri dhe kryediplomati Haxhinasto flet edhe mbi ngjarjet më të fundit në Kosovë, duke shprehur mbështetjen për qeverinë e Kosovës në ushtrimin e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Kosovës.
Në vijim intervista e plotë e zëvendëskryeministrit Edmond Haxhinasto:
Z. Ministër. Kemi parë një situatë të tensionuar në veri të Kosovës, ne Mitrovicë, dhe specifikisht në pikat kufitare. Cili është qëndrimi i Qeverisë Shqiptare në lidhje me këtë situatë të krijuar, duke marrë shkas dhe nga rezoluta e miratuar së fundi në Kuvendin e Kosovës
Z. Haxhinasto: Qëndrimi i Republikës së Shqipërisë është bërë i ditur nëpërmjet deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëpërmjet deklaratave të tjera të përfaqësuesve më të lartë të shtetit. Në thelbin e tij ky qëndrim konsiston në mbështetjen e qeverisë së Kosovës për të ushtruar sovranitetin e saj në gjithë territorin e vet. Gjithashtu konsiston në nevojën që situata atje të qetësohet. Ne vlerësojmë se duhet të jemi shumë të qartë dhe të tregojmë, me shumë kurajo, përgjegjësin që ka shkaktuar këtë situatë, që në gjykimin tonë, është veprimtaria e segmenteve të caktuara paralele në Mitrovicën e Veriut. Por një shkak mendoj se është edhe mosrealizimi i një reciprociteti ligjor, normal, të nevojshëm në shkëmbimet ekonomiko-tregtare, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Kosova nuk mund të vazhdonte më tej me atë regjim, ku nga njëra anë, hynin importet kontrabandë duke prishur dhe tregun e Kosovës, dhe nga ana tjetër nuk kishte një reciprocitet të tillë që dhe produkti kosovar të hynte pa doganë në Serbi. Prandaj, mendoj se vendosja e një regjimi reciprok, përsa i takon këtij tranziti, kësaj lëvizjeje të produkteve, ishte e domosdoshme. Sigurisht që nuk ishte e domosdoshme të tensionohej situata, nuk ishte e nevojshme të humbte jeta e një oficeri të forcave speciale të policisë. Ne kemi shprehur keqardhjen tonë për këtë ngjarje. Por tani mendoj se e rëndësishme për të ardhmen është që situata duhet të stabilizohet, duhet të ketë një mirëkuptim për një realitet të ri që ekziston ne Kosovë, aty duhet kthyer legjitimiteti në funksionimin e doganave, në funksionimin e autoritetit qoftë vendor, qoftë në zbatim të ligjit, me qëllim që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të jenë marrëdhënie normale mes dy shteteve sovrane. Vetëm kështu gjithçka do të eliminojë mundësinë e përshkallëzimit dhe krijimit të tensioneve, të cilat nuk janë të dëshirueshme, përkundrazi janë të dënueshme pasi dhe pasojat e tyre nuk janë të mira për asnjerën palë.
Ju keni deklaruar z. ministër që mes dy vendeve nuk duhet të ketë marrëveshje të mbetura në letër, por duhet të ketë marrëveshje që duhet zbatuar. Duke marrë shkas nga këto konflikte të fundit, të pakëndshme, a mendoni se rrezikohet kjo marrëveshje?
Z. Haxhinasto: Aktualisht ne kemi disa konkluzione që janë arritur në procesin e dialogut, konluzione që do të ishin bazë e një marrëveshjeje për t'u zbatuar më pas nga të dyja palët. Mendoj se kjo është një domosdoshmëri, pasi në fund të fundit, procesi i dialogut nuk ka qenë ndonjë proces për të marrë ndonjë certifikatë, për të vazhduar më tej procesin e anëtarësimit në BE, për asnjërën nga palët. Por, ka qenë një domosdoshmëri për të zgjidhur një sërë çështjesh të rëndësishme, që janë me një risi direkte, me një impakt direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve të dy vendeve. Përshkallëzimi i ngjarjeve siç ndodhi në Kosovën e veriut, mendoj se e konfirmon këtë, që ato konkluzione duhet të kthehen në marrëveshje, duhet të zbatohen nga palët, me qëllim që gjithçka që është një pengesë apo problem në funksionimin normal të marrdhënieve fqinjësore mes Kosovës e Serbisë, të zgjidhet në mënyrë të qytetëruar, në mënyrë ligjore, në mënyrë dinjitoze, siç duhet t'i zgjidhin dy vende që aspirojnë për t'u bërë anëtar të BE-së.
Kemi parë deklaratat e para të ndërkombëtarëve për situatën në Mitrovicë. A mendoni se në rast se do ketë ndonjë përshkallëzim në ditët në vijim, ndërkombëtarët duhet ti vendosin sanksione Serbisë?
Z. Haxhinasto: Unë uroj që ulja e tensioneve të vazhdojë më tej, dhe kështu nuk do të jetë e nevojshme për të hedhur hapin e sanksioneve. Ajo që mendoj se do të ishte alternativa më e mirë e sanksioneve, është konkludimi i një marrëveshjeje mes dy vendeve përsa i takon çështjeve të regjimit doganor në këto dy pika kufitare, që kanë qenë problematike.
Z. Ministër, shkëputemi pak nga situata në Kosovë dhe u kthehemi zhvillimeve në vend. Ka patur disa zëra, jo vetëm nga Partia Socialiste, por dhe nga aleatët e saj, të cilët kanë parë ndoshta si një mundësi për riogranizim të opozitës edhe futjen e LSI në gjirin e saj. Cili është opinioni juaj ndaj këtyre zërave, të cilat sa më shumë kërkohen aq më shumë përforcohen brenda opozitës. Me pak fjalë, LSI a e shikon në të ardhmen një pozicionim brenda opozitës, apo Partisë Socialiste?
Z. Haxhinasto: LSI është parti në pushtet , është pjesë e koalicionit, ka një marrëveshjeje për këtë legjislaturë aktuale, është forcë politikë shumë luajale, siç e tregon ecuria e bashkëqeverisjes, por dhe zgjedhjet e fundit të 8 majit. Mendoj se askush në opozitë nuk duhet të bëjë plane për riorganizimin e opozitës me mendjen e tij, duke mos marrë në konsideratë qendrimet, vlerësimet, vizionin dhe angazhimet e LSI-së. Janë bërë gabime të tilla edhe më parë. LSI, qëndrimi i saj, pozicionimi i saj nuk është marrë në konsideratë, me një fjalë popullore janë 'bërë hesape pa hanxhinë". Kështu mendoj edhe në rastin konkret, se çdo riorganizim i opozitës, së pari, u takon atyre që janë në opozitë. Se çfarë do bëjë LSI në të ardhmen është shumë e qartë për forcën tonë politike. Ne aktualisht po e përpunojmë më tej vizionin tonë për të ardhmen, vizionin tonë jo vetëm për bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike, por po përpunojmë një vizion edhe për Shqipërinë europiane, për 10 vitet e ardhshme, kur Shqipëria duhet të kualifikohet për të qenë anëtare e BE. Ne kemi një axhendë politike të veçantë, kemi një individualitet politik tashmë të spikatur dhe mendoj se çdo forcë politike do respektojë më tepër veten e saj, nëse do marrë në konsideratë, këtë individualitet, këtë vizion dhe këtë pavarësi politike që ka LSI, si një forcë tashmë e konfirmuar në gjithë spektrin e politikës shqiptare.
Shqipëria europiane, në fakt, kërkon dhe angazhimin e forcave politike, për të arritur një konsensus, kompromis e dialog politik. A mendoni se do të arrihet kjo mes forcave politike deri në muajin shtator, duke patur parasysh se është një reformë zgjedhore për t'u plotësuar, një angazhim i kërkuar dhe nga ndërkombëtarët për aspiratën e Shqipërise drejt BE.
Z. Haxhinasto: Reforma zgjedhore është një nga reformat më të rëndësishme institucionale që duhet të realizojë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së. Por janë dhe një sërë reformash të tjera që janë të domodsoshme. BE e ka bërë të qartë, prej një viti, se çfarë pret nga Shqipëria, cilat reforma duhen zhvilluar, çfarë prioritetesh duhet të realizohen edhe në kuadër të opinionit të vitit të kaluar. Janë të qarta për gjithsecilin. Ka një plan kombëtar veprimi për t'i zbatuar këto 12 prioritete. Ajo që mungon është vullneti i opozitës për t'u angazhuar në zbatimin e këtij plani. Në pjesën më të madhe të tyre këto prioritete kërkojnë një vullnet politik, kërkojnë një angazhim institucional të opozitës për të trajtuar atë legjislacion, që është në themel të këtyre reformave. E kam fjalën për pronësinë, reformën e gjyqësorit, dhe reformat në një sërë institucionesh të tjera të pavarura, të cilat janë të domosdoshme që Shqipëria të hedhë hapin vendimtar për të marrë statusin e vendit kandiatit.
LSI është pro ndryshimeve kushtetutese, dhe speficikisht për ndryshimin e mënyrës së votimit të zgjedhjes së presidentit?
Z. Haxhinasto: Çështja e ndryshimeve kushtetuese është një çështje për të cilën kemi mbajtur një qëndrim shumë të qartë kohë më parë. Ne nuk ndryshojmë qëndrimin përsa i takon ndryshimeve kushtetuese. Por për të arritur optimumin e dispozitave kushtetuese, procesi nuk mund të jetë identik me atë që i solli këto dispozita, duhet të jetë një proces i gjërë diskutimi, me ekspertë, me grupet e interesit, me qëllim që vendi të ketë të gjithë atë cilësi kushtetuese, e cila bën të mundur që Shqipëria të funksionojë si një shtet modern, si një shtet thellësisht demokratik, i cili i zgjidh gjithë problemet e ndryshme institucionale, gjithë vakumet, duke patur një referencë të qartë në ligjin themelor të shtetit, që është Kushtetuta e vendit.