Bruksel, 31 korrik, NOA - Konflikti në kufi që shpërtheu ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, flet qartë për strukturat mafioze në rajon thotë eurodeputetja dhe ekspertja për Ballkanin Doris Pack.
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi bëri përgjegjës Beogradin për shkallëzimin në kufi. A jeni dhe ju i këtij mendimi?
Nëse me Beogradin ai ka parasysh qeverinë serbe, atëherë nuk jam e këtij mendimi. Por nëse ka parasysh organizatorë në Beograd, atëherë e besoj!
Për çfarë njerëzish mund të bëhet fjalë?
Këta janë njerëz të cilët kanë interes që Mitrovica të mbetet ashtu si është tani. Pra si një vatër për kontrabandë dhe për shumë mundësi për të fituar para në rrugë të paligjshme!
Dhe këta organizatorë siç e përmendët ju kanë frikë nga kontrollet e forta të kufijve, pasi nuk do të kishin më mundësi kontrabande?
Sigurisht, ka struktura mafioze në këtë fushë, të cilat janë zhvilluar si të thuash para syve tanë. Unë e kritikoj edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila në vitet e fundit që prej 1999 ose prej 2000, nuk ka reaguar si duhet, por e ka parë Mitrovicën gjithnjë si kufi të jashtëm dhe është marrë më shumë me pjesën tjetër. Kështu veriu i Mitrovicës iu është lënë si të thuash në duar serbëve të Beogradit. Unë vetë kam qenë atje në vitin 2000 dhe jam përpjekur të flas me serbët e Mitrovicës dhe njerëzit që banojnë në jug të qytetit . Ne si eurodeputetë kemi dhënë këtu një shumë kontribut. Por është bërë gjithnjë e më shumë e qartë se ajo ishte një zonë ku nuk kishte sundim të ligjit; policia është e pafuqishme, serbët atje janë vërtet në epërsi por jo populli i thjeshtë serb, por ata njerëz të cilët i përmenda më parë, që bëjnë atje biznese dhe kanë synime kriminale.
Pra BE si të thuash e ka lënë pas dore këtë problem pasi nuk ka një zgjidhje për të?
Jo vetëm BE, por edhe bashkësia ndërkombëtare. Për dhjetë vjet rrjesht atje drejtonte OKB, dhe ajo ka mbyllur sytë para zhvillimeve në veri. E ka lënë Beogradin të ulet atje këmbëkryq dhe në thelb OKB nuk ka bërë asgjë që Mitrovica të mbetet një pjesë e Kosovës. As në strukturat administrative. Duhet ta kemi të qartë se serbët në pjesën jugore të Kosovës, pra në dy të tretat e vendit, jetojnë në paqe. Ata kanë atje mundësi të ngrenë strukturat e tyre, kanë marrë pjesë në zgjedhje, kanë kryetarët e tyre të komunave, kanë dy ministra në qeveri. Janë serbët në veri të Mitrovicës të cilët mbahen si të thuash peng nga shumë kriminelë, dhe natyrisht mbështeten financiarisht nga Beogradi. Ky është problemi.
Si mund të afrohen serbët në veri të vendit me shtetin e Kosovës?
Ata e shohin se si jetojnë serbët në jug të vendit, e shohin se mund të jetohet edhe në paqe. Dhe kjo mundësi duhet t'u mbahet atyre gjithnjë para syve. Por kjo nuk është e mundur pasi atje është gjithnjë i pranishëm ndikimi nga Beogradi dhe pikërisht ato struktura mafioze që përmenda, kujdesen që të dy pikat kufitare Jarinje dhe Brnjak, të mos vihen nën kontrollin e EULEX-it dhe policisë së Kosovës. Në policinë e Kosovës janë të punësuar serbë, serbë nga Kosova! Pra janë njerëzit e tyre të cilët ata kërcënojnë. Dhe unë mendoj se këtu BE dhe para së gjithash bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjnë më fort. Beogradit i duhet thënë se kështu nuk shkon! Nuk mund të kërkohet tani falje dhe të thuhet se nuk kanë gisht në incidente, kur prej vitesh bëhen përpjekje për të penguar atje ato struktura, që mund ta mbajnë të bashkuar Kosovën.
Pasi një pyetje nuk është sqaruar ende: a do ta njohë Serbia shtetin e pavarur të Kosovës?
Po, herët apo vonë Beogradi nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Ai të paktën duhet të kujdeset që të ketë marrëdhënie të mira me këtë vend, pasi kur nuk ke marrëdhënie të mira me fqinjët, nuk mund të hysh në BE. Pra ky është një kusht që Serbia duhet ta përmbushë, por kështu si veprohet aktualisht nuk mund të vazhdohet. Unë nuk mund të them nëse kjo mund të bëhet përmes njohjes direkte vitet e ardhshme, apo përmes rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi, që ka filluar tani. Por e përsëris: marrëdhëniet e mira me fqinjët janë kusht për anëtarësimin në BE.
Një dialog i cili duket se nga pala serbe është ndërprerë të paktën përkohësisht. A besoni se presidenti Tadiç do të jetë i gatshëm për kompromise me Kosovën?
Besoj se ai do të jetë i gatshëm, por jo qeveria që ai drejton dhe forcat në Beograd, që në të vërtetë janë më të forta se ai.
Dhe çfarë mund të bëjë Brukseli në këtë rast?
Ne vetëm mund të përpiqemi të ushtrojmë trysni. Por mentalitetin e njerëzve ne nuk mund ta ndryshojmë dhe situata aktuale në Serbi nuk është e tillë që të presim që në zgjedhjet vitin e ardhshëm të vijë sërish në pushtet qeveria aktuale. Atëherë do të kemi të bëjmë me të tjerë njerëz, të cilët ndoshta do të kenë orientim më të fortë nacionalist, të cilët do të na duhet t'i vlerësojmë nga e para. Unë nuk jam profete, por mund të them vetëm se është shumë e vështirë dhe një nga arsyet është se shumë serbëve në Serbi nuk u është bërë e qartë situata. Serbët në Kosovë kanë mësuar tashmë se mund të jetohet mirë nëse integrohesh në strukturat, të cilat janë ngritur me ndihmën e BE-së.
NOA/DV