E diel, 31 korrik 2011 – Zgjedhjet e pjesshme për qeverisjen vendore të thirrura sot në 10 komuna të vendit kanë përfunduar në nëntë prej tyre, ndërsa në njërën nuk u kryen fare.
Procesi i votimit u zhvillua qetësisht në nëntë komuna, respektivisht në Shllak të Shkodrës; në komunën Zall Dardhë në Dibër; në komunën Mollas në Korçë; në komunën Kolsh të Lezhës; në komunat Pishaj dhe Papër në Elbasan; në komunën Qendër Skrapar në Qarkun e Beratit si dhe në komunat Armen e Finiq të Vlorës.
Votimi në këto komuna u përmbyll me sukses brenda orarit zyrtar.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve procesi zgjedhor në të nëntë komunat ishte i qetë dhe normal.
Duket se ‘delja e zezë’ e këtyre zgjedhjeve të pjesshme ishte komuna Shalë e Shkodrës.
Në komunën Shalë të qarkut të Shkodrës procesi i votimit u anulua për shkak se materialet zgjedhore mbërritën gjashtë orë me vonesë nga orari zyrtar, në qendrat e votimit të kësaj komune.
Komisionerët e KZAZ-së së Shkodrës e argumentuan anullimin e procesit me faktin se komisionerët nuk plotësonin kriteret.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e cilësoi moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë si një akt të rëndë duke paralajmëruar se do të ketë rivotim në një kohë tjetër.
Në zgjedhjet e pjesshme vendore u thirrën afro 36 mijë zgjedhës për të hedhur votën në kuti për kryetarin e komunës dhe për këshillin e komunës, ndërsa u ngritën 102 Qendra Votimi.
Zgjedhjet u thirrën në komunat Shllak dhe Shalë, pasi në to nuk u krye fare votimi në 8 maj.
Ndërsa në tetë njësitë e tjera vendore KQZ vendosi ripërsëritjen e tyre për shkak të konstatimit të parregullsive në zgjedhje.
Zgjedhjet e sotme shënuan vetëm dy incidente të vogla në komunën Shllak të Shkodrës dhe Finiq të Vlorës.
Por, moszhvillimi i zgjedhjeve në komunën Shalë largon edhe më shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve të 8 majit në këto komuna të vendit.
KQZ bën me dije se janë ngritur grupe pune, që do të numërojnë votat në të nënta njësitë vendore ku u votua të dielën e 31 korrikut, duke bërë me dije se rezultati i tyre mund të shpallet brenda të hënës.
Tashmë pritet që KQZ të vendosë në mbledhjen e ardhshme datën e zhvillimit të zgjedhjeve në komunën Shalë të Shkodrës.
mit/NOA