English

Prizren, shpallen fituesit e edicionit jubilar të DokuFest

Prizren, 31 korrik 2011, NOA – “DokuFest”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren ka mbyllur siparin e edicionit të tij të dhjetë me shpalljen e fituesve këtë të dielë të fundit të muajit Korrik.

Mes 16 çmimeve të DokuFest-it, çmimi për filmin më të mirë për fëmijë shkoi për ‘Big Bang Big Room’ i kompanisë italiane Blu; ndërsa çmimin e publikut e fitoi filmi ‘The Black Power Mixtape1967-1975’, një film i suedezit Goran Hugo Olson.

Filmi më i mirë në garën kombëtare u vlerësua ‘Portret i Humbur’ i regjisorit nga Kosova Lulzim Zeqiri, ndërsa dokumentari më i mirë i Ballkanit u vlerësua ‘Letter to Dad’ me regji nga serbi Srdjan Keca.

Edicioni jubilar u zhvillua në qytetin e Prizrenit në Kosovë nga 23 korriku deri në 31 korrik.

Përgjatë shtatë ditëve në DokuFest u shfaqën 186 filma nga 55 vende të botës, ndërsa në festivalin e të rinjve dhe fëmijëve DokuKids u shfaqën 36 filma.

Filmat u përfshinë në shtatë kategori garuese si dhe 13 kategori speciale.

Ata u projektuan në shtatë kinema, ndërsa kinemaja risi e këtij viti u çel në mjediset e godinës historike të lidhjes së Prizrenit.

Festivalin sivjetëm e vizituan mbi 300 kineastë, regjisorë, producentë, dhe kritikë të filmit nga vendi dhe bota.

Mes emrave të të ftuarve ishin edhe figura të kinematografisë botërore si James Longley, Mohsen Makhmalbaf, Marshall Curry, Michael Palmieri, Pietro Marcelo, Alexander Nanao, dizajneri i njohur Mirko Iliç dhe shumë të tjerë.

Natën e mbrëmshme festivali DokuFest mirëpriti këngëtaren me famë botërore nga Mbretëria e Bashkuar, Polly Jean Harvey, e cila erdhi bashkë me fotografin irlandez Seamus Murphy.

Ata shfaqën 12 filma të shkurtër me regji të Seamus Murphy, të cilat ngërthejnë këngët e albumit të fundit të Harvey, Let England Shake.

Kjo ishte edhe hera e parë që këta filma shfaqeshin jashtë Anglisë.

Ata u shfaqën në Kinemanë Lumbardhi, në praninë e regjisorit Murphy’t dhe Harvey’t.

Pas projektimit të filmave Harvey dhe Murphy iu përgjigjën pyetjeve të publikut kosovar për 30 minuta.

Të dy artistët u ndanë shumë të kënaqur nga atmosfera në Prizren dhe premtuan se do të rikthehen në këtë qytet.

Edicioni i 10-të i DokuFest shënoi rritje sa i përket numrit të pjesëmarrësve, me plot 35 përqind më shumë se vitin e shkuar.

Sipas organizatorëve u shitën gjithsej mbi 9 mijë bileta në ditët e mbajtjes së festivalit.

Përveç shfaqjes së filmave gjatë Dokufest u zhvilluan gjashtë debate me tema të ndryshme.

Fituesit e Edicionit të Dhjetë të Dokufest:

DOKUKIDS

Big Bang Big Room nga Blu/Itali

Juria e DokuKids Anila Sokoli, Adrian Bytyqy, Edvin Susuri

ÇMIMI I PUBLIKUT:

The Black Power Mixtape1967-1975 nga Goran Hugo Olson/Suedi

FILMI MË I MIRË NË GARËN NACIONALE

Portret i Humbur nga Lulzim Zeqiri/Kosove

MIRËNJOHJA E JURISË PËR FILMIN NACIONAL

Ninulla nga Antoneta Kastrati Casey Cooper Johnson/Kosove

FILMI MË I MIRË I SHKURTËR

Gardfren by Cuneyt Karaahmetoglu/ Turkey

Juria për GAREN E FILMIT ME TE MIRË TE SHKURTËR - Stjepan Hundic, Momoko Seto, Gani Jakupi

MIRËNJOHJA E JURISË PËR FILMIN MË TË MIRË TË SHKURTËR

Si Qeni n Rrush by Yll Citaku ,Driton Hajredini/ Kosove

MIRËNJOHJA E JURISË PËR FILMIN MË TË MIRË TË SHKURTËR

La Gran Carrera nga Kote Camacho/ Spanje

ÇMIMI NË GARËN E DOKUMENTARIT PËR AMBIENTIN

Mreteria e Qymyrint- Casey Cooper Johnson dhe Antoneta Kastrati/ Kosove

MIRËNJOHJA E JURISË PËR DOKUMENTARIT MË TË MIRË PËR AMBIENTIN:

The Pipe nga Risteard O’Domhnaill / Irelande

Juria për Garën PËR DOKUMENTARIT MË TË MIRË PËR AMBIENTIN Marshall Curry, Petrit Ceku, Truls Lie

FILMËBËRËSI I RI MË I MIRË NGA BALLKANI:

Cinema Komunisto nga Mila Turajli/ Serbi

ÇMIMI NË GARËN E DOKUMENTARIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT

You don’t like the truth 4 days inside Guantanamo

By Luc Cote,Patricio Henriquez / Kanada

MIRËNJOHJA E JURISË PËR DOKUMENTARIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT:

Blood in the mobile -Frank Piasecki Poulsen/ Danimarke

ÇMIMI NË GARËN E DOKUMENTARIT MË TË MIRË INTERNACIONAL TË SHKURTËR

Out of Reach by Jakup Stozek / Poloni

Juria për Garën Nacionae: Sanjin Pejkovic, Luan Jaha, Thibaut Bracq

ÇMIMI NË GARËN E DOKUMENTARIT MË TË MIRË INTERNACIONAL TË GJATË

People I could have been and maybe am nga Boris Gerrets /Britani e Madhe

MIRËNJOHJA E JURISË PËR DOKUMENTARIN INTERNACIONAL

Our Persian Rug by Massoud Bakhshi/ Iran, Holand

- Juria e Garës për DOKUMENTARIT MË TË MIRË INTERNACIONAL: James Longley, Melanie Sevcenko, Necati Sonmez, Pietro Marcelo, Sally Berger

ÇMIMI NË GARËN E DOKUMENTARIT MË TË MIRË TË BALLKANIT:

Letter to Dad by Srdjan Keca/Serbi

Juria për Garën e DOKUMENTARIT MË TË MIRË TË BALLKANIT - Alexander Nanau, Donal Mosher, Sasra Garcia

KOMENTE