English

Te hurit e te litarit

Nga Edmond Tupja Meqenëse, për arsye familjare – këtë madje e kam deklaruar botërisht –, nuk mund të largohem nga shtëpia jo më me javë, por as me ditë, kam vendosur të ndjek këshillën e mençur të kolegut tim Ilir Mati, i cili, para disa kohësh, i ftoi tiranasit, edhe ai botërisht, të zbulojnë mrekullitë e vogla, por befasuese, të rrethit të tyre, madje fare pranë, prapa malit të Dajtit. Vendosa, pra, të bëj, çdo të shtunë në mëngjes herët deri nga dreka, njëfarë turizmi alpinistik apo alpinizmi turistik bashkë me Taulantin e Enion, miq të vjetër, dhe nën drejtimin e Eriolit, udhërrëfyesit tonë të ri nga Brari. Sigurisht që lexuesi im besnik, por edhe kritik, i së dielës mund të pyesë veten se ku dua të dal me këtë hyrje jo fort të shkurtër. Ja, pra, si qëndron puna: Tek kacavirresha brinjëve të Dajtit, tek hidhesha nga boka në bokë buzë lumit të Tiranës, tek thithja me ëndje ajrin e kulluar të Shupalit, tek admiroja shpellën e Adelinës, grykat e ngushta e të egra, por të bukura, të Tujanit, tek kridhesha në ujërat e freskëta e të pastra të gropave të tij me forma femërore, befas më shkoi mendja tek heronjtë apo, më saktë, protagonistët e rraskapitur të procesit të zgjedhjeve vendore të këtij viti, të cilat zgjatën plot dy muaj. Dhe thashë me vete: Sa mirë do t’u bënte të vinin edhe ata me mua – aq më tepër që i njoh të dy (pavarësisht se kam votuar për njërin dhe jo për tjetrin) –, që të shkarkonin barrën e streseve duke djersirë e gulçuar rrëpirave, duke e shuar etjen me kumbulla të egra e mana gjysmë të pjekura, duke u kapur pas degëve e drizave për të mos u rrokullisur diku poshtë, bile edhe duke urinuar prapa ndonjë ferre, tamam si bashkudhëtarët e mi, si unë vetë. Por, pastaj, u mendova dhe arrita në përfundimin se zoti Basha, që sapo ka marrë detyrën e re e shumë të vështirë të kryebashkiakut, meqenëse do t’i duhet jo vetëm t’i mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës (çka nuk është hiç e lehtë), por edhe të shndërtojë, të çstrukturojë, për të rindërtuar, për të ristrukturuar jo vetëm nga pikëpamja materiale, por edhe nga këndvështrimi psikologjik, pra, se zoti Basha nuk ka kohë të çlodhet dhe, për pasojë, nuk mund ta pranojë ftesën time të painteres për turizëm alpinistik apo alpinizëm turistik rreth e qark Tiranës. Ndryshe qëndron puna, sipas meje, me zotin Rama, që tani nuk e ka më bashkinë si shkëmb Sizifi: atij do t’i bënte shumë mirë të shkrehej e shtendosej në gjirin e nënës Natyrë, të mësynte drejt majës së Dajtit nga para apo nga prapa, por qoftë edhe shpateve anësore, pastaj të lahej e të shpëlahej bashkë me mua e me miqtë e mi te shkalla e Tujanit në gropat me forma femërore, por qoftë edhe mashkullore, ç’rëndësi ka, tekefundit! Sigurisht, ai mund të shkojë të çlodhet në vende edhe më të bukura, si Alpet e Zvicrës, fjordet e Norvegjisë, oazet e Saharasë, mrekullitë e Dubait, ujëvarat e Niagarës apo të Zambezit, askush nuk ia ndalon këtë, veçse turizmi alpinistik apo alpinizmi turistik që i propozoj unë, e ka një të mirë të madhe, madje shumë më të madhe sesa mund ta pandehë edhe ai vetë: duke qenë pranë Tiranës, pasditeve ai mund të kthehet në gjirin e familjes dhe të Partisë, të kujdeset për ato si një bashkëshort, si një kryebashk…, më falni, dua të them si një kryefamiljar e kryetar bashk…, më falni dua të them si një kryetar partie i mirëfilltë dhe i vetëdijshëm për detyrat dhe vështirësitë që e presin erotik…, më falni, dua të them heroikisht. Nëse zoti Rama do ta pranonte ftesën time të painteres, do të dëshiroja t’i jepja vetëm një këshillë: Të vishet me rroba praktike dhe të mbathë këpucë atlete të lehta, me gomë të trashë, por të mos marrë me vete as ndonjë hu për t’u mbështetur, as ndonjë litar për t’u lidhur si alpinistët e vërtetë. As unë e as miqtë e mi nuk kemi marrë e nuk kemi ndër mend të pajisemi ndonjëherë me hunj e litarë të tillë. Përse? Vërtet, e keni seriozisht që e bëni këtë pyetje? Atëherë po ju përgjigjem: thjesht se po të na shihnin vendalinjtë e moshuar me hunj e litarë në duar, do të shqyenin sytë nga habia e do të mendonin: “Çyry bo’et k’shu, mër’ jahu! Po k’to qekan t’hunit e t’litarit! Ec mo’ se po ja bojm’ kabull pr’esor Tupes, qi ka botu’ do libra me llafe t’pista, por ene zoti Rama? Tobe stofkurrullah!”.

KOMENTE