E diel, 31 korrik 2011, NOA- Pas trazirave që shoqëruan për disa ditë me radhë veriun e Kosovës, ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të policisë së EULEX-it kanë vendosur në mëngjes herët pikë kontrolli në fshatin Jagnjenicë, që ndodhet në Zubin Potok.
Ndonëse mësohet se situata e sigurisë në veriun e Kosovës, gjatë natës që lamë pas ka qenë e qetë dhe kjo gjendje vazhdon ende, ushtarët janë duke kontrolluar rreptë automjetet, mallrat dhe udhëtarët, të cilët kalojnë në këtë drejtim.
Nga ana e serbëve po mbahen ende të bllokuara rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në veri.
Në një deklaratë zyrtare të Policisë së Kosovës thuhet se nata nuk ka shënuar asnjë incident dhe se nga ana e policisë si asaj në Mitrovicës gatishmëria është në maksimum.
a.y/NOA