Prishtinë, 1 gusht 2011, NOA - Ambasadori Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, deklaroi sot se qeveria gjermane mbetet e brengosur për gjendjen në veri të Kosovës dhe se ajo dënon çfarëdo lloj përdorimi të dhunës.
“Zgjidhja mund të gjendet vetëm brenda dialogut. Normalizimi i gjendjes në veri, në veçanëti zgjidhja e çështjes së qarkullimit të mallrave, duhet të jetë temë e procesit të dialogut aktual të udhëhequr nga Bashkësia Evropiane”, tha Ernst Reichel. Gjithashtu, ai shtoi se qeveria gjermane i mbështet në mënyrë aktive dhe fuqishëm të gjitha përpjekjet e Baroneshës Ashton dhe përshëndet faktin që ndërmjetësi i BE-së, Cooper, si i dërguar i Përfaqësueses së Lartë, do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën në fillim të kësaj jave. Sipas tij, të dyja palët duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, sa më parë që të jetë e mundur.
a.q/NOA