Shkup, (Maqedoni), 1 gusht, NOA - Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka deklaruar se deri tani ka treguar se vepron si president i tërë qytetarëve, duke pasur parasysh edhe shqiptarët.
“Përkundrazi, gjatë kandidimit tim, në fushatë dhe në ditën e zgjedhjeve unë kam pasur mbështetjen e numrit të madh të shqiptarëve. Vlerësoj se me punën time kam treguar se veproj si president i të gjithë qytetarëve. Unë jam krenar me modelin e plotësimit të demokracisë multietnike, bashkëjetesës dhe tolerancës, përmes Marrëveshjes së Ohrit, e cila legjitimoi traditën tonë shekullore”, theksoi Ivanov në një intervistë për numrin e sotëm të gazetës maqedonase “Dnevnik”.
Ai bën të ditur se është pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet që shënohet Marrëveshja e Ohrit, takime që promovohen dialogje ndëretnike dhe ndërfetare si dhe demonstrimi përmes aktiviteteve të politikës së jashtme dhe rajonale, me presidentët e rajonit, siç janë takimet me kolegët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Lidhur me bojkotimin e tij nga partia shqiptare e opozitës PDSH, presidenti Ivanov vlerëson se kjo parti është mirë që si pjesë e komunitetit shqiptar u tërhoq nga praktika e bojkotit të institucioneve, ku duhet të përfaqësohen interesat e qytetarëve.
NOA/INA