English

Kontrolli i kufijve në veri të Kosovës, Stefanoviç: Dialogu i domosdoshëm

Beograd, 1 gusht 2011, NOA – Kryenegociatori serb në bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë, Borisllav Stefanoviç deklaroi se dialogu është tejet i domosdoshëm duke saktësuar se përpjekja e Prishtinës për tu tërhequr nga tryeza e bisedimeve nuk është e mirë.

Sipas Stefanoviç prania e Kosovës në bisedime është vënë në pikëpyetje pas tensionit të krijuar në veri të Kosovës në 25 korrik, pas aksionit të vënies nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë nga Policia e Kosovës.

Duke folur për radion “Evropa e lirë”, kryenegociatori serb i bëri thirrje palëve të ulin tensionet për t’iu kthyer sa më parë tavolinës së bisedimeve.

“Ne nuk kemi dilema, ne e dimë se dialogu është i domosdoshëm”, nënvizoi stefanoviç.

I pyetur nëse pala serbe është e gatshme të tërhiqet në rast se Prishtina nuk do të diskutojë, Stefanoviç tha se ky nuk është vendim i tij.

Po kështu mbrëmjen e vonë të së dielës mësohet se kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviç dhe ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç kanë hyrë ilegalisht në veri të Kosovës në Leposaviç.

Për këtë reagoi sot Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, duke kërcënuar se do të arrestohet çdokush që hyn në Kosovë në mënyrë ilegale.

Stefanoviç e ka komentuar deklaratën e Rexhepit, duke thënë se kërcënimi nuk i shërben askujt, pasi sipas tij dy zyrtarët serbë hynë në Kosovë jo për të provokuar.

RFE/mit/NOA

KOMENTE