Beograd, 1 gusht 2011, NOA - Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Kuper nisi takimet e tij me përfaqësuesit serbë, Borisllav Stefanoviç dhe Goran Bogdanoviç. Mediat serbe informojnë se takimi u mbajt në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Rashkës. Temë e bisedimeve është gjendja e krijuar në veriun e Kosovës pas ndërhyrjes së autoriteteve kosovare, për të shtrirë kontrollin edhe në pikat kufitare në veri. Nga ana tjetër, Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, nuk do të takohet me Borko Stefanoviçin dhe Goran Bogdanoviçin, ngaqë ata kanë hyrë ilegalisht në Kosovë. Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter, tha se KFOR-i nuk ka hequr dorë nga mënjanimi i pengesave në rrugët që çojnë në Jarinje. Pasi kanë biseduar për tri orë me përfaqësuesit e serbëve lokalë nga veriu i Kosovës, Stefanoviç dhe Bogdanoviç janë kthyer në Serbi për t`u takuar në Rashkë me zyrtarin e BE-së, Robert Kuper.
Ata kanë thënë se në Kosovë kanë hyrë në rrugë të tjera, sepse KFOR-i nuk i ka lejuar të kalojnë në Jarinje. Më herët, zëdhënësi i EULEX-it, Nicolas Hoton ka thënë se misioni i BE-së është kundër hyrjeve ilegale të zyrtarëve serb në Kosovë, për të shtuar se ende nuk ka qëndrim zyrtar për arrestimin eventual të zyrtarëve serbë që futen ilegalisht në Kosovë.
a.q/NOA