English

Mblidhet urgjent KS i Kosovës: Aksioni për kontrollin e kufijve legjitim

Prishtinë, 1 gusht 2011, NOA - Këshilli i Sigurisë së Kosovës u thirr sotnjë mbledhje urgjente nga kryetari i tij, njëherësh kryeministri Hashim Thaçi.

Lajtmotiv i mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës ishte situata politike dhe e sigurisë në vend, ku u analizuan me hollësi veprimet e fundit legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e masave të reciprocitetit kundër Serbisë në dy pikat kufitare veriore dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Pas diskutimeve Këshilli i Sigurisë së Kosovës, konkludoi se veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë së Kosovës në veri të vendit janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

KS i Kosovës aprovoi rekomandimet e mëposhtme për agjencitë shtetërore të sigurisë të Republikës së Kosovës:

1. Këshilli i Sigurisë së Kosovës konsideron se veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, për sigurimin e zbatimit të masave reciproke tregtare me Serbinë, si dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Kosovës, janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi;

2. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetet e tyre shumë ngushtë për të siguruar zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

3. Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandon që agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës, po ashtu të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat ndërkombëtarë, që janë prezent në Kosovë dhe që kanë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit. Ky koordinim duhet të bëhet gjithmonë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës;

4. Këshilli i Sigurisë së Kosovës, kërkon nga agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës;

5. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë shtetërore dhe nga ministritë relevante të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të koordinohen dhe të ndërmarrin veprimet e domosdoshme që t’i dalin në ndihmë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit. Kjo ndihmë, duhet të jetë e përqendruar në sigurimin e nevojave për ushqim dhe medikamente mjekësore, me qëllim të evitimit të çfarëdo krize humanitare atje;

6. Agjencitë Shtetërore të sigurisë së Kosovës, duhet të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat relevant ndërkombëtar për të zhbllokuar rrugët dhe për të siguruar lëvizjen e lirë për qytetarë dhe mallra. Përderisa, nuk bëhen plotësisht të lira për qarkullim rrugët e bllokuara, duhet të hapen korridore të reja që mundësojnë furnizimin e qytetarëve më artikuj elementarë;

7. Këshilli i Sigurisë së Kosovës garanton qytetarët e Republikës së Kosovës se do të kryejë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë besim të plotë në agjencitë shtetërore të sigurisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE