Nga Mustafa Nano
Mazhoranca qeverisëse ka filluar një fushatë denigrimi dhe përbaltjeje në adresë të Presidentit Topi. Nuk e kanë me presidentin. E kanë me Topin, i cili pritet të krijojë në përfundim të mandatit një parti të tipit nacionalist-konservator, që mund ta gërryejë fort malin elektoral të PD-së. Personalisht kam besuar se dëmi që do të pësonte PD-ja prej partisë së Topit, që tani është duke bërë provat gjenerale me Aleancën Kuq e Zi, nuk do të ishte kushedi se çfarë; por sulmi i egër dhe i shproporcionuar që po i bëhet Topit tregon se PD-istët, me në krye Berishën, janë trembur. Kanë bërë sondazhe, me sa duket, dhe tek rezultatet e këtyre sondazheve të realizuara për konsum të brendshëm, duhet të kenë gjetur ndonjë arsye pse të tremben. Përndryshe, Berisha nuk kish pse lëshohej ashtu si u lëshua. E gjasat janë që të lëshohet më fort mbi Topin në muajt që do të vinë. Olldashi nuk vonoi shumë, dhe u vu në ndjekje të boss-it. Të tjerët do ta bëjnë njëri pas tjetrit.
E gjithë kjo e nxjerr Topin një personazh të fortë e të frikshëm. E jo vetëm kaq. Këto sulme mund të krijojnë idenë, sikur Topi i ka vënë shkopinj nën rrota kësaj mazhorance e ka bërë çmos ta pengojë furinë e Berishës për të bërë atë që ka dashur të bëjë. Mirëpo kjo nuk është hiç e vërtetë. Topi nuk ka bërë praktikisht asgjë esenciale në dëm të qeverisjes alla kaçakçe të Berishës. Topi mund t’i prishë shumë punë Berishës e PD-së si leader i një partie, që do ta fusë sqepin në thesin e votave të djathta, por ai s’i ka prishur asnjë çikë punë Kryeministrit Berisha. Këtij të fundit mund t’ia kenë prishur gjumin shumë vetë e shumë institucione në Shqipëri, por Topi në krye të Presidencës jo. Topi mund të lërë gjurmë nesër si politikan, por ai nuk ka lënë gjurmë deri më sot si President. Nuk duket se janë të paktë ata që kanë në kokë idenë fikse, sipas së cilës Bamir Topi është Presidenti më i dobët i njëzet viteve të fundit. E nuk është se e kanë keq.
Kur Topi u zgjodh President i Republikës, Berisha kish bërë gati dy vjet në pushtet. Nuk kish filluar ende të bënte prapësitë e mëdha. E vërteta është se kish dhënë sinjale të këqija, por prapëseprapë nuk mund të thuhej se ish zgjidhur nga zinxhirët. Mund të jetë një përkim rastësor, por stina e prapësive të mëdha të tij fillon pothuaj në të njëjtën kohë me mandatin presidencial të Topit. E ndërkohë që mandati i Topit përfundon vitin tjetër, mund të thuhet me siguri që mbyllet – ky është përkim që e komprometon tërë veprimtarinë presidenciale të Bamir Topit – dhe procesi i marrjes nën kontroll të të gjitha institucioneve nga ana e Berishës; e që të jemi më të saktë, nuk janë vetëm institucionet (deri vitin tjetër, Berisha do të ketë marrë tërësisht gjykatat e rëndësishme të vendit, atë të Lartën e atë Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimet Sekrete, dhe Presidentin), por edhe zona të tjera të hapësirës publike (këtu duhet veçuar mass-media). Siç shihet pra, Topit i ka rënë për hise të bëhet spektator luksi i këtij procesi. Nuk do duhej të ishte kështu, e nuk ka qënë e shkruar të ndodhte kështu, por ja që ka ndodhur për faj të Topit. Është ky i fundit pra që ka bërë sehir Berishën, teksa ka rrëzuar një e nga një tulla, mure e kollona të ndërtesës së shtetit të së drejtës.
Ka një tezë që thotë se fuqitë presidenciale nuk janë të tilla, që të mund t’i bëhen pengesë qasjeve autokratike në qeverisje. Me fjalë të tjera – thonë – Kushtetuta, sidomos pas datës 21 prill të vitit 2008, e mban Presidentin e Republikës të dobët. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Kushtetuta jonë, nëpërmjet kompetencave e përcaktimeve kushtetuese, e përkufizon Presidentin tonë si një autoritet moral të Republikës (simbol i unitetit kombëtar, thuhet në dokumentin themeltar të shtetit). Mirëpo Bamir Topi nuk ka qënë asnjë ditë autoritet moral. Ai ka qëndruar në hije, ka mbajtur prore një profil të ulët, ka bërë sehir sherret e pazaret e bëra nga palët politike, ka ulur kryet përballë sulmeve, insinuatave e provokacioneve që i kanë ardhur në vijimësi nga mazhoranca (deri dhe horr bulevardi, e kanë quajtur), dhe s’ka lëvizur as gishtin për të mbrojtur rendin institucional e konstitucional të vendit. Ka ndodhur në ndonjë rast që të ketë bërë ndonjë reagim të mekur, por është mjaftuar me kaq. Ka dhënë përshtypjen se i shkojnë shtatë prej Berishës.
Qëndrimi i tij prej ngordhalaqi në ditët që pasuan 21 janarin e vitit 2011 i hapi rrugë sundimit përfundimtar të Berishës. Ç’mund të bënte? Çdo gjë mund të bënte. Mund t’i fliste kombit, mund t’u fliste ndërkombëtarëve (por jo ashtu si u ka folur, nga pozitat e një qyqari), mund të lëshonte mesazhe pa fund, mund të organizonte takime me intellighentsia-n e me eksponentë të shoqërisë civile, mund të zbarkonte në studiot e rëndësishme televizive (ku ka shkelur jo pak herë fare pa shkak), e në të gjitha këto të denonconte vrasjet e katër qytetarëve në bulevard, të kërkonte hetim të shpejtë të ngjarjes, të bënte presion që gardistët të dorëzoheshin në Prokurori, t’i bënte thirrje Kryeministrit t’u jepte fund skenarëve idiotike me putsch-e, me çadra e stilolapsa pistoletë, me thika me helm, etj., etj., e t’i thosh po Kryeministrit: “Stop! Me autoritetin e Presidentit të Republikës të kërkoj të tërheqësh gjithë fjalët që ke nxjerrë nga goja në adresë të dinjitarëve të lartë të republikës e të kërkoj të respektosh ligjet dhe institucionet!” Nuk bëri asgjë nga këto. Bëri të kundërtën. U mbyll në Presidencë, aq sa shumë njerëz zunë të mendonin: Ore, mos ka të drejtë Berisha, kur flet për një putsch të organizuar nga treshja Rama-Topi-Rama?
Kjo është veç një ngjarje, dhe duhet thënë se gjatë mandatit presidencial të Topit ka pasur shumë ngjarje, në të cilat ai ose ka heshtur, ose ka folur në mënyrë të tillë, sa do ish më mirë të kish heshtur. Por për t’i vënë nota Presidentit nuk ka nevojë të marrësh në analizë sjelljen e tij pas çdo ngjarjeje të kronikës politike. Mjafton të shohësh trajektoren e Republikës në harkun kohor të mandatit presidencial të Topit: në fillim të mandatit Shqipëria ishte një vend, ku mund të merrje frymë, ndërsa në fund të mandatit do të kemi një Shqipëri të sunduar në kuptimin më të plotë të fjalës nga Berisha, e nga bandat e tij. Në këtë mes kanë faj shumë vetë. Por fajtori kryesor është ai, Presidenti i Republikës, Bamir Topi.