English

Viti 2010, raporti: Shqipëria mbi 1 miliard USD investime të huaja direkte

Tiranë, 1 gusht 2011, NOA – Shqipëria kalon shifrën prej 1 miliard USD në Investimet e Huaja Direkte për vitin 2010. Këtë e deklaroi sot zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Enno Bozdo, në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesen e UNDP-së Zineb Touimi-Benjelloun.

Gjatë konferencës u prezantua Raporti Botëror i IHD (Investimeve të Huaja Direkte), i hartuar nga UNCTAD, për vitin 2011.

Duke folur për pozicionimin e Shqipërisë në këtë raport, zëvendësministri Bozdo theksoi se “Në Shqipëri Investimet e huaja direkte janë rritur për herë të parë më shumë se 1 miliard dollarë, duke e renditur atë në vendin e dytë pas Serbisë dhe të vetmin vend të Evropës Juglindore ku investimet janë rritur pavarësisht trendit global negativ”.

Në kontekstin global Shqipëria pozicionohet në vendin e 18 në botë për indeksin e performancës së IHD-së nga vendi i 78 në vitin 2006.

Sipas Bozdos vendi ynë ka bërë përmirësime të dukshme lidhur me indikatorët që lidhen me infrastrukturën fizike, furnizimit me energji elektrike dhe kushteve të tjera për investime.

Fluksi i IHD-së në Shqipëri ka ndjekur një trend të ndryshëm dhe pothuaj të pavarur nga trendi rajonal dhe global duke treguar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Konkretisht, nga 325 milion $ që ishin në vitin 2006, janë rritur qëndrueshëm në vitet: 2007 - 656 milion $; 2008 – 978 milion $; 2009 - 989 milion $ dhe në vitin 2010, 1097 milion $.

Duke folur për raportin zëvendësministri i Ekonomisë tha se “Ky raport është një dokument shumë i rëndësishëm jo vetëm sepse jep një panoramë shumë të detajuar të zhvillimit ekonomik botëror nën këndvështrimin e IHD, por edhe sepse vende të ndryshme kanë mundësi të vlerësojnë pozicionin e tyre kundrejt vendeve të tjera dhe eventualisht të përmirësojnë politikat në thithjen e IHD-së”.

Ai vlerësoi si gjetje kryesore të këtij raporti faktin se “Investimet e Huaja Direkte Globale për vitin 2011, ende nuk kanë arritur nivelet para krizës globale dhe arsyeja e kësaj vjen për shkak të rreziqeve të perceptuara dhe të pasigurisë së kuadrit rregullator që ekziston ende në këtë ekonomi të brishtë botërore”.

Bozdo tha se investimet e realizuara sipas aktivitetit ekonomik klasifikohen: 44,5% vlerësohen IHD në kërkim shfrytëzim, industri dhe ndërtim; 55,5% në sektorin e shërbimeve, transport, telekomunikacion, shërbime financiare, tregti dhe shërbime biznesi.

Në vitin 2010, për herë të parë ekonomitë në zhvillim kanë arritur të thithin afërsisht gjysmën e FDI-ve në shkallë globale.

Konstatohet se koorporatat ndërkombëtare po rrisin aktivitetin e tyre në vendet e tranzicionit dhe atyre në zhvillim, duke zgjeruar fushën e investimeve në prodhim dhe bujqësi, shërbimin outsourcing, franchising dhe liçencim apo kontratave të menaxhimit. Këto aktivitete relativisht të reja për vendet në tranzicion dhe në zhvillim, krijojnë mundësi për thellimin e integrimit të tyre në ekonominë globale, në fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe në përmirësimin e konkurueshmërisë së tyre.

Pjesëmarrja në rritje e kompanive të huaja në tregun shqiptar është tregues i qartë i kushteve të favorshme për IHD-të që vazhdojnë të realizohen në disa sektorë të ekonomisë si nxjerrja e mineraleve, sektori energjetik, sektori bankar dhe telekomunikacioni.

Sipas Bozdos edhe niveli i ulët i barrës fiskale që mbizotëron në Shqipëri, nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me shërbime efikase publike.

Për këtë arsye, sipas tij Qeveria shqiptare është në proces përmirësimi të vazhdueshëm të zbatimit të legjislacionit, mbledhjes së taksave, rimbursimit të TVSH-së dhe reduktimin e burokracisë.

mit/NOA

KOMENTE