Tiranë, 1 gusht 2011, NOA – Nga zgjedhjet e pjesshme vendore të së dielës së fundit të korrikut kanë dalë rezultatet për tetë nga nëntë komunat, ku kandidatët e dy koalicioneve kundërshtare “Aleanca për të Ardhmen” dhe “Aleanca për Qytetarin” kanë fituar secili nga katër komuna.
Këtë e bëri me dije zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, i cili theksoi se ka përfunduar procesi zgjedhor në nëntë komuna, ndërsa në tetë prej tyre dy koalicionet kundërshtare kanë dalë me rezultat të barabartë komunash.
Zëdhënësi i KQZ-së tha se sipas rezultatit përfundimtar për tetë komunat kandidatët e koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen” kanë fituar zgjedhjet në komunat Kolsh në Lezhë, Armen në Vlorë, Papër në Elbasan dhe Qendër Skrapar në qarkun e Beratit.
Ndërsa kandidatët e koalicionit të pozitës “Aleanca për Qytetarin” fituan në komunat Shllak në Shkodër, Pishaj, Mollas në Korçë, e Zall Dardhë në Dibër.
Sipas zotit Olli në komunën Finiq kandidatët e dy koalicioneve lëvizin me një avantazh apo disavantazh prej dy votash, gjë që po shkakton vështirësi në përmbylljen e tabelës përfundimtare.
Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte e mirë me 52-53 përqind të të thirrurve në votime.
Zëdhënësi i KQZ-së dënoi aktin e moszhvillimit të zgjedhjeve në komunën Shalë të Shkodrës duke deklaruar se zgjedhjet në këtë komunë u dëmtuan qëllimisht.
Ai përshëndeti kapjen e pesë personave që dëmtuan zgjedhjet në komunën Shalë të Shkodrës, duke deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të lejojë asnjë krim elektoral, si ai më i fundit në Shalë, ku u pengua qëllimisht zgjedhja e kryetarit të komunës.
Sikundër edhe një ditë më parë zëdhënësi Olli deklaroi se në komunën Shalë do të rivotohet dhe më pas do të përgatitet tabela përmbledhëse e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore për të gjithë vendin.
mit/NOA