Tiranë, 2 gusht 2011, NOA- Autoriteti i Konkurrencës nëpërmjet një njoftimi zyrtar deklaroi se, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të fundit vendosi hapjen e procedurës së hetimit parak si dhe marrjen e masave të përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm në tregun gjeografik “Porto Romano”.
Mësohet se ky vendim i Komisionit të konkurrencës është marrë pas ankesave të një ndërmarrje, një operator në tregun e importit dhe tregtimit të gazit të lëngëzuar të naftës (GNL).
Theksohet se ky operator nuk është lejuar të përdorë portin “Porto Romano” për shkarkimin e një anijeje me GNL, që nga data 22 korrik 2011, në këtë port i cili është dhënë me koncesion nga Shteti Shqiptar ndërmarrjes “Romano Port” Sh.a.
Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se referuar pikës 4 të marrëveshjes së koncesionit, koncesionari detyrohet të respektojë të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime nëpërmjet këtij objekti, duke respektuar legjislacionin në fuqi në këtë fushe dhe ky koncesion do të jetë e vetmja veprimtari që ka të drejtë të kryejë koncensionari, sipas objektit të kësaj marrëveshjeje.
Ndërkaq sipas këtij autoriteti bëhet e ditur se, mos lejimi i shkarkimit sipas pretendimeve të “RomanoPort”sha. është bërë për shkak se kompania nuk ka paraqitu lejen e shfrytëzimit të depozitave të saj të lidhura me impiantin e shkarkimit të gazit të “RomanoPort”.
Megjithatë në bazë të “Rregullores për funksionimit të portit të përpunimit të lëndëve djegëse” dokumentacioni përkatës që duhet paraqitur tek autoritetet e portit nga pritësi i mallit që sjell produktet e naftës, përpara fillimit të procesit të shkarkimit përfshin vetëm dokumentacion nga Autoritet doganore, kontrollit teknik, lejen mjedisore etj.
Pra, referuar dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, Porto Romanio sh.a ka të drejtë që të kërkojë vetëm dokumentacionet e sipërpërmendura dhe të merret me sigurinë e anijeve dhe jo dokumente të tjerë për të cilat kjo kompani justifikon refuzimin e saj për të mos lejuar shkarkimin e anijes e cila ka siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga institucionet përkatëse që garantojnë sigurinë teknike të depozitave dhe lidhjes me impiantin e shkarkimit.
Ndërkaq nga ana e Komisionit të Konkurrencës shprehet se mund të ndodhemi përballë një situate urgjence, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën, duke parë dhe mundësinë e shkeljes së ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës, vendosi hapjen e hetimit paraprak në këtë treg si dhe marrjen e masës së përkohshme për përpunimin e menjëhershëm të anijes me GLN të sjellë nga ndërmarrja në fjalë dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi.
Ndërsa në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa shoqëria “Romano Port” sh.a të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme.
Theksohet se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme ndërmarrja përgjegjëse rrezikon të ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa b e ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
a.y/NOA