English

Ivanoviç: S’ka zgjidhje të krizës në veri pa përmbushjen e kërkesave serbe

Mitrovicë, 2 gusht 2011, NOA - Sekretari shtetëror në ministrinë për Kosovën në qeverinë serbe Oliver Ivanoviç deklaroi se kriza në veri të Kosovës do të zgjasë deri sa të përmbushen kërkesat e serbëve dhe gjendja të kthehet siç ishte para ndërhyrjes së njësive speciale të policisë së Kosovës në dy vendkalimet kufitare, Jarinë dhe Bërnjak.

“Shqiptarët dhe doganat kosovare nuk duhet të jenë në veri të Kosovës. Kjo prani mund të jetë rezultat i negociatave në Bruksel, por deri sa të mos ndodhë kjo, gjërat duhet të kthehen ashtu siç kanë qenë para 25 korrikut”, deklaroi Ivanoviç për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Radio “Evropa e lirë’, citon deklaratën e Inanoviçit, që thotë se kjo është kërkesë e ekipit negociator serb gjatë bisedimeve me Kosovën të ndërmjetësuara nga Robert Cooper në Rashkë.

“Këtu nuk ka vend për pazare. Duhet të jemi të sigurt se njësitë speciale të ROSU, nuk do të na shqetësojnë dhe se ata nuk do të përpiqen që me dhunë të ndryshojnë situatën në terren”, theksoi më tej Ivanoviç.

Ai nënvizoi se zgjidhja e krizës në veri të Kosovës, duhet të arrihet përmes dialogut.

REL/mit/NOA

KOMENTE