English

KFOR: Në veri të Kosovës ka kriminelë dhe snajperë serbë

Mitrovicë, 2 gusht 2011, NOA – Pas tensionimit javën e shkuar të situatës në veri të Kosovës, forcat ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë kanë bërë me dije se në këtë zonë të Kosovës në kufi me Serbinë ka forca të armatosura ekstremiste e kriminale dhe snajperë serbë.

një komunikatë për shtyp, KFOR-i shprehet se është i gatshëm t’i përgjigjet çdo sulmi kriminal që do të ndërmerret nga elementët radikalë serbë.

E përditshmja “Koha Ditore” citon se kjo gatishmëri përligjet me faktin se në veri janë të gatshëm për sulme kriminelë e elementë ekstremistë serbë të pajisur me snajper, e me armë të tjera si pushkë, pistoleta e eksploziv, që sipas KFOR-it përbëjnë një forcë të mjaftueshme të këmbësorisë së blinduar.

“Ekziston ende kërcënimi që radikalët t’i sulmojnë vendkalimet kufitare, siç kanë bërë me portën 1 javën e kaluar. Komandanti i KFOR-it pret që qytetarët në të gjitha pjesët e Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe paqësorë, si dhe të mbështeten tek masat e ndërmarra nga KFOR-i dhe EULEX-i dhe tek zgjidhjet politike për situatën e tanishme”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Misioni paqeruajtës u bën thirrje të gjithë qytetarëve, në Zubin-Potok, të cilët i quan paqedashës që t’u rezistojnë elementëve radikalë dhe kriminalë dhe të heqin dorë nga dy bllokadat e fundit të rrugëve, të cilat pengojnë ende qarkullimin në qytet.

Misioni i NATO-s vlerëson se situata aktuale në veri të Kosovës është e qetë, por e tensionuar.

Ushtarët e KFOR-it janë ende të vendosur në portat kryesore, ku veturat dhe autobusët lejohen të kalojnë pas kontrollit të detajuar të identifikimit të personave dhe të sigurisë. Automjetet e rënda janë ende të ndaluara për shkak të masave të sigurisë.

Koha Ditore/mit/NOA

KOMENTE