Tiranë, 2 gusht 2011, NOA – Pesë shtetas bullgarë që kopjonin të dhënat e kartave të debitit dhe kreditit për prodhimin e kartave bankare të klonuara janë prangosur nga policia e Tiranës.
Të pesë bullgarët ishin gjurmuar nga policia prej disa muajsh dhe u vunë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Bankomati i rremë”.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit Klejda Plangarica bëri me dije se nga hetimet rezultoi se ky grup me kartat bankare të falsifikuara ka sulmuar me sukses bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë në muajt Maj-Korrik 2011, duke kryer mbi 100 transaksione me vlerë rreth 150 000 euro.
Bëhet me dije se shtetasit bullgarë të arrestuar janë: Dragomir Ivanov Bonev, vjeç 35; Ivo Dimitrov Ivanov, vjeç 37; Pavel Vladimirov Milenov ,vjeç 31; Nikolay Yordanov Tosonev, vjeç 33; Aleksandar Kolev, vjeç 38, që të pestë lindur dhe banues në Sofie, në Bullgari.
Arrestimi i pesë bullgarëve u finalizua pas një hetimi disa mujor, ku rezultoi se ky grup kriminal ka ardhur disa herë në Shqipëri.
Me pajisje elektronike të prodhuara në mënyrë artizanale, të modifikuara si pjesë të bankomatit, ata kanë kopjuar të dhënat e kartave të debitit dhe kreditit në disa bankomate të qyteteve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe më pas këto të dhëna i kanë përdorur për të prodhuar karta bankare të klonuara, për të tërhequr para në mënyrë të paligjshme.
Tre nga personat u kapën në flagrancë duke përgatitur pajisjet kompjuterike për klonimin e kartave bankare, në dhomën e një hoteli në qytetin e Durrësit, ndërkohë që dy të tjerët po largoheshin nga një Pikë e Kalimit Kufitar nga vendi ynë.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan:
Tre copë pajisje kompjuterike “Skimmer”, që shërbejnë për klonimin e kartave, me logo të bankave
Dy mikrokamera dixhitale për regjistrimin e kodeve PIN
Dy kamera dixhitale për fotografimin e bankomateve
Dhjetëra karta plastike me shirit magnetik me te dhëna të kartave bankare të vjedhura,
Tre kompjuter “Laptop” që kanë shërbyer për programimin e këtyre të dhënave,
Dy makina
Pesë celularë
Si dhe një shumë prej 1000 eurosh.
Të pesë shtetasit bullgarë akuzohen për veprën penale të mashtrimeve kompjuterike.
mit/NOA