Bulqizë, 2 gusht 2011, NOA – Minatorët e kromit në Bulqizë kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës së urisë, 1400 metra nën tokë, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore rëndohet dita ditës.
Nga 15 minatorët e ngujuar në minierë kanë mbetur në këto momente 14, pasi mëngjesin e sotëm u largua nga greva edhe një minator tjetër, i cili është në gjendje kritike për jetën me probleme të forta në frymëmarrje dhe zemër dhe po dërgohet në spitalin e Bulqizës.
Edhe minatorë të tjerë grevistë mësohet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Minatorët e Bulqizës përballen me kushtet tejet të rrezikshme në thellësitë e minierës, me problemet në frymëmarrje për shkak të lagështirës në minierë, e cila dy ditët e fundit është kërcënuar edhe nga rreziku i përmbytjes.
Rreziku i shpërthimit të pompave të ujit dhe derdhjes së tij në brendësi të minierës është kanosës për jetën e minatorëve, të cilët prej disa ditësh kanë ndërprerë tërësisht komunikimin me mbitokën.
Megjithatë të ngujuarit e Bulqizës kanë shprehur vendosmërinë për të mos e lënë grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre jetike.
Afro 700 minatorët e minierës së kromit në Bulqizë u rebeluan ndaj kompanisë austriake ACR afro një muaj më parë duke nisur një protestë pa afat me kërkesat për rritjen e pagave nga 20-40 përqind, përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe punës në minierë, largimin e drejtorit aktual të minierës së Bulqizës, largimin nga miniera të kompanive të tjera të paliçencuara, protestë e cila derivoi në marrjen e vendimit ekstrem të hyrjes në grevë urie, 1400 metra nën tokë.
mit/NOA