SHBA, 2 gusht 2011, NOA - Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të votojë sot legjislaturën për rritjen e kufizimit të borxhit të SHBA-ve. Fillimisht ky projektligj u miratua nga Dhoma Përfaqësuese e Kongresit amerikan, dhe tashti pritet të marrë “OK” edhe nga senati. Nëse miratohet edhe në Senat, atëherë do të evitohet bankroti i qeverisë amerikane, që do të ishte i pari në historinë e saj. Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga Partia Republikane, ka votuar me shumicë votash në favor të rritjes së kufizimit të borxhit, me 269 vota për dhe 161 vota kundër. Pra, për këtë legjislaturë votuan më shumë përfaqësues se sa që ishte minimumi prej 216 votash. Anëtarët e Dhomës Përfaqësuese nga Partia Demokratike e presidentit Barak Obama, ishin të ndarë përgjysmë, duke votuar 95 për dhe 95 kundër. Liderja demokrate e Dhomës, Nensi Pelosi, tha se nuk ishte e kënaqur me marrëveshjen e arritur, por do të votonte për këtë legjislaturë për shkak të rrezikut për bankrot të mundshëm. Disa minuta para se të miratohej legjislacioni, anëtarja e Partisë Demokratike në Dhomën Përfaqësuese, Gabrielle Gifords, e bëri një paraqitje dramatike në Dhomë, paraqitje kjo që u përshëndet me duartrokitje. Legjislatura e miratuar në Dhomën Përfaqësuese, tashti duhet të kalojë edhe në Senat, në mënyrë, që të arrijë për nënshkrim në tavolinën e presidentit Barak Obama, deri në fund të ditës së martë (sipas kohës amerikane). Mbështetja nga lideri i shumicës demokrate në Senat, Herri Reid nga Nevada, dhe lideri republikan, Mitç Mek Konell nga Kentaki, praktikisht garanton se kjo legjislaturë, do të fitojë së paku 60 vota, sa mjafton për miratimin e saj. Në këtë mënyrë, ligjvënësit amerikanë sonte në mesnatë, kur pritet të fillojë seanca në Senat, ballafaqohen me afatin e fundit për rritjen e kufizimit të borxhit, ose, siç thonë ekspertët, Qeveria e Shteteve të Bashkuara, do të fillojë të përballet me mungesë të parave për pagesën e faturave të saja, potencialisht duke shkaktuar trazirë të re në ekonomitë e SHBA.
a.q/NOA/VOA