Shkodër, 2 gusht 2011, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pasi priti në mjediset e Kuvendit maturatët më të mirë të gjimnazeve të Tiranës, u bëri urimet më të mira maturantëve të shkëlqyer të Shkodrës. Këto urime Topalli i përcolli në një takim të përzemërt me nxënës, mësues e prindër, në gjimnazin “28 Nëntori”, një prej gjimnazeve më të mirë në Shqipëri, gjimnaz me një histori mbi 80 vjeçare, nga ku kanë dalë personalitete të shkëlqyera në ekonomi, politikë, drejtësi, informatikë, me nxënës që kanë fituar gjithmonë olimpiada kombëtare e ndërkombëtare.
“Ky është një moment i rëndësishëm, momenti ku ju do të vendosni për ëndrrën e jetës suaj dhe unë jam e sigurtë se do t’ia dilni mbanë, ashtu siç i’a keni dalë deri tani, do t’ia dilni të jeni të lumtur dhe të jeni krenarë për çdo gjë që keni arritur”, tha kryetarja e Kuvendit. Topalli vlerësoi përkushtimin e mësuesve dhe prindërve por në mënyrë të veçantë përkushtimin dhe sakrificën e vet nxënësve për arritjet dhe rezultatet e shkëlqyera, çka përbëjnë hapa të sigurtë drejt një të ardhmeje të suksesshme. “Nuk ka një vend si Shqipëria, ku prindërit dhe familja edhe kur janë në nevojë dhe në vështirësi, çdo gjë që ata kanë, ia kushtojnë vetëm mësimit, edukimit dhe shkollimit të fëmijës. Sepse shkolla të hap sytë, të hap dyert e jetës, sepse arsimi dhe dija është syri i njerëzimit, ashtu si morali është mendja e njerëzimit dhe ju keni të gjitha”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
a.q/NOA