English

Berisha: Protestat e opozitës nuk çuan askund, Tirana lokomotiva e investimeve

Tiranë, 3 gusht 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se protestat e opozitës nuk arritën të dëmtojnë dot efektin tërheqës të investimeve të huaja direkte në Shqipëri.

Duke folur në mbledhjen e përjavshme të qeverisë zoti Berisha theksoi se protestat e opozitës në kryeqytet nuk kanë krijuar asnjë impakt negativ, duke nënkuptuar se ato nuk çuan askund.

E duke iu kthyer fitores së koalicionit qeveritar në Tiranë, shefi i qeverisë bëri me dije se me riorganizimin e bashkisë së Tiranës, Tirana do të kthehet në lokomotivën e vendit sa i përket investimeve.

“Duhet të bëjmë gjithçka që Shqipëria të marrë 2 miliard dollarë në vit, e këtë do e arrijmë edhe me riorganizimin e bashkisë së Tiranës, si lokomotiva e vendit”, tha kryeministri.

Këtu kryeministri risolli në vëmendje se nëse për 11 vite me radhë nuk dëgjuan për investime direkte të huaja për arsye të klientelizmit të ish-kryetarit të bashkisë që shpallte antikombëtar çdo projekt, Kryetari i ri bashkisë ka të gjitha potencialet për shndërrimin e bashkisë së Tiranës në një lokomotivë të shpejtë të thithjes së investimeve të huaja direkte.

Kryeministri u bëri thirrje kryetarëve të bashkive dhe komunave të vendit që këtë sukses të Shqipërisë ta kapitalizojnë me zotimin për të mbështetur investimet me përparësi absolute në komunat dhe bashkitë ku ata qeverisin.

“Potencialet tona janë jashtëzakonisht të mëdha por duhet të bëjmë gjithçka që t’i shndërrojmë ato në vlera për të gjithë shqiptarët”, nënvizoi shefi i qeverisë.

mit/NOA

KOMENTE