English

Dhjetë ditë nën tokë, rëndohet shëndeti i minatorëve grevistë

Bulqizë, 3 gusht 2011, NOA/Irma Toptani– Janë mbushur plot dhjetë ditë qëkurse minatorët e Bulqizës hynë në grevë urie pa afat, por ende nuk ka asnjë sinjal pozitiv për kërkesat e tyre.

Nga 20 minatorët që nisën grevën e urisë, në mjediset e minierës 1400 metra nën tokë kanë mbetur të ngujuar 13 prej tyre, pasi të tjerët kanë ndërprerë grevën për shkak të përkeqësimit kritik të shëndetit të tyre.

Ndërsa kolegët e tyre i mbështesin nga jashtë mjediseve të minierës.

Pas dhjetë ditësh grevë të 13 heronjtë e nxjerrjes së kromit në Bulqizë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, por protesta e tyre ekstreme ka mbetur ende pa një zgjidhje konkrete.

Kompania austriake u ka premtuar rritjen e pagës me 20 përqind dhe përmirësimin e kushteve me kushtin që ata të dalin nga greva dhe të takohen me drejtuesit e kompanisë, por pa praninë e përfaqësuesve të Konfederatës.

Drejtuesit e kompanisë austriake në qëndrimet e tyre publike janë shprehur se minatorët e Bulqizës po përdoren politikisht.

Por deklaratat e ACR-së nuk i kanë bindur minatorët.

1400 metra nën tokë gjendja e të ngujuarve në galeritë e minierës së kromit është tejet e rëndë.

Të revoltuar nga deklaratat e krerëve të kompanisë koncensionare minatorët kanë kërcënuar se mund edhe ta përmbysin minierën, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh.

Të martën ndërprenë grevën edhe dy minatorë të tjerë, të cilët paraqitën probleme kritike për shëndetin, probleme me të cilat dita ditës po përballen e 13 minatorët që vijojnë ende grevën e urisë.

Gjendja e rënduar shëndetësore ka vënë në lëvizje edhe kryetarin e Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, i cili është takuar vetë me minatorët grevistë mbrëmjen e të martës.

Kryebashkiaku Keta premtoi se do të ndërhyjë për të ndërmjetësuar takimin e minatorëve me drejtuesit e kompanisë koncensionare, duke nënvizuar se disa nga kërkesat e tyre mund të zgjidhen.

Afro 700 minatorët e minierës së kromit në Bulqizë u revoltuan ndaj kompanisë austriake ACR afro një muaj më parë, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk ka kryer asnjë investim për përmirësimin e kushteve të tyre të punës.

Në këtë protestë 30 ditore minatorët e kromit kërkojnë rritjen e pagave nga 20-40 përqind, përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe punës në minierë, rritjen e moshës së pensionit, largimin e drejtorit aktual të minierës së Bulqizës, largimin nga miniera të kompanive të tjera të palicencuara.

Ata kërkojnë rishtas ndërhyrjen e kryeministrit në zgjidhjen e shpejtë të kërkesave të tyre jetike.

mit/NOA

KOMENTE