English

Edhe një betejë e humbur serbe në Kosovë

Nga Adnan Abrashi

Serbët në veri këto ditë janë duke lozur me kartën e tyre të fundit në stilin: “krejt, apo asgjë”. Për këtë qëllim, përveç popullit skajshmërisht të manipuluar serb, në këtë ndërmarrje ashiqare janë mobilizuar të gjitha segmentet e politikës shtetërore të Serbisë, duke përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe, si dhe njësitë e mobilizuara paramilitare dhe kriminale serbo-ruse.

Nëse vazhdon edhe më tej kështu, duke u bazuar në eksperiencat e gjertanishme të “trung-revolucioneve” (srb.“balvan-revolucija”) të tyre të kryera dikur në viset tjera të ish Jugosllavisë (Kroaci, Bosnje...), shumë serb të arsyeshëm, përmes komenteve të tyre të shprehura nëpër disa portale informative në internet përkujtojnë se, edhe ky “kushtrim” në Kosovë do të përfundoj me skenarin e njëjtë fatkeq: eksodin masiv të popullsisë serbe nga këto vise...

Nuk ka dyshim! Nën pretekstin e kësaj filozofie skajshmërisht të gabuar fataliste “krejt, apo asgjë”, nga ta po dëgjohen edhe zëra që haptazi thërrasin për luftë. Bie fjala, ky veprim i ngutshëm dhe skajshmërisht i pamatur i mobilizimit dhe futjes nga Serbia të vullnetarëve dhe paramilitarëve të armatosur ekstremist serb dhe rus në territorin e shtetit tonë, duke provokuar edhe palën tjetër shqiptare, mund të ketë efekte të paparashikueshme negative. Fatlumësisht, në këto rrethana, populli shqiptar i Kosovës është i durueshëm dhe mbi të gjitha i beson institucioneve legjitime të shtetit të vetë. Por, kjo aspak nuk do të thotë se ai hesht, nuk mendon, nuk vigjilon, nuk planifikon, nuk organizon...

Pala serbe sigurisht duhet të jetë e vetëdijshme se me këso “bllofe” tanimë të demaskuara të “lojës me zjarre", dikur as ana shqiptare nuk do të ri duarkryq. Ta zëmë, nëse me kohë nuk do të veprojnë si duhet forcat e KFOR-i dhe strukturat tjera legale të sigurisë së shtetit të Kosovës, të paraprirë nga ish pjesëtarë të UÇK-së, me qindra e mijëra të rijnë dhe vullnetarë të tjerë, shumë lehtë mund t’i ngjiten maleve të Kosovës...?!

Jo, jo! Kjo nuk është e dëshirueshme për as kë! Në këto momente vendimtare, të shpresojmë se arsyeja njerëzore e politikanëve dhe politikëbërësve tanë dhe ndërkombëtar kurrë nuk do ta lejoj një gjë të tillë...!

Nga ana tjetër, jashtë emocioneve të ndezura të popullit të manipuluar serb, jam më se i bindur se, kokat e vendosjes në Beograd e dinë shumë mirë se gjithmonë “prapa çdo politike, qëndron interesi ekonomik”, andaj, me këtë reciprocitet ajo për çdo ditë në Kosovë po humb mbi 1 milion euro...

Si duket, qenka e shkruar nga Zoti që toka e shenjët dhe e bekuar e Kosovës Dardane, përherë për ta të bëhet një vend i preferuar i BETEJAVE TË HUMBURA...?!

Ekuivokët e disa politikave ndërkombëtare

Në këto momente eskaluese të situatës, e cila mund të ketë pasoja të paparashikueshme jo vetëm për stabilitetin e brendshëm në Kosovë, por edhe për rajonin në përgjithësi, BE-ja edhe një herë u gjet e sfiduar në mes të dy të vërtetave të saja të dukshme dhe të padukshme politike paradoksale: asaj, racionale, me të cilën përmes deklaratave të rrejshme oficiale që i jep nëpër konferenca për shtyp ku reflekton neutralitet, dhe asaj konspirative, të cilën ajo e aplikon si synim veprues në prapavijë ndaj Kosovës.

E mësuar me servilizmin tradicional të elitës politike kosovare, këtë herë me aksionin e vendosur të Qeverisë së Kosovës për rivendosjen e sovranitetit të vetë të plotë në tërë territorin e saj kushtetues, nga njëra anë, dhe solidaritetit masiv të gjithë popullit dhe spektrit politik pozitar dhe opozitar me këtë veprim, nga ana tjetër, maskat e kamufluara të planave të saja të dyshimta ndaj Kosovës, si duket, kanë filluar edhe zyrtarisht të bien. Ashtu sikur UNMIK-u dikur, edhe EULEX-si po dëshmon se tërësisht është vënë në anën e shteteve që favorizojnë politika përkrahëse ndaj Serbisë. Por nëse edhe ky mision vazhdon edhe më tej kështu, ashtu sikur ka ngjarë me të parën, edhe kësaj mbikëqyrjeje ndërkombëtare shumë shpejtë do t’i vije fundi... Fundi i turpshëm, pa dyshim!

Dhe krejt në fund, “miqtë e mirë, njihen në rrezik”, thotë një fjalë e urtë popullore. Andaj, këtë artikull desha ta përfundoj me deklaratën e ambasadorit Dell në Kosovë, të bërë këtyre ditëve gjatë vënies së gurthemelit të shtëpisë së kulturës në fshatin Badoc të komunës së re të Graçanicës: “Beogradi duhet ta pranojë dhe ta kuptojë se institucionet e Kosovës janë këtu përgjithmonë dhe kanë kapacitete të marrin vendimet e veta vetë, për vendin e vet. Këto dy shtete duhet të bashkëjetojnë dhe të respektojnë vendimet e njëri tjetrit.”

Tupani bie për ata që kanë vesh, apo?!

NOA

KOMENTE